RTSH 24 Live

Sociale

Kadareja në programet shkollore, bazë për aktivitete të shumta me nxënësit

02/07/2024

Kadareja në programet shkollore, bazë për aktivitete të shumta me nxënësit

Ismail Kadare, shkrimtari më i madh i letërsisë shqipe dhe autori më i përkthyer jashtë vendit në mbi 45 gjuhë të botës  padyshim zë vend  edhe në programet shkollore.

Mësuesja e letërsisë Oderina Ndreu ndërsa tregon veprat me të cilat ai është i pranishëm mes nxënësve  shprehet se krijimtaria  e tij është e njohur nga të rinjtë gjimnazistë.

Në të gjitha ciklet e arsimit zhvillojmë orë ku Kadareja përfaqësohet me “Kronikë në gur” apo “Kush e solli Doruntinën”, tha mësuesja.

Aktivitetet kushtuar kësaj figure të papërsëritshme të letërsisë shqiptare janë  pjesë e kalendarit të përvitshëm kulturor që harton Gjirokastra.

Por organizimet nuk mungojnë as nga institucionet arsimore. Gjimnazi “Asim Zeneli”, shkolla ku Kadare zhvilloi studimet e mesme i ka dhënë hapësirën që meriton duke e sjellë në vendlindje përmes krijimtarisë së tij.

Ne kemi fatin të ecim në gjurmën e Kadaresë apo Agollit, të atyre që bënë historinë në Shqipëri dhe në botë. Vepra e Kadaresë përfaqësohet denjësisht në të gjitha veprimtaritë shkollore” shtoi mësuesja.

Kadare zë një vend të veçantë dhe në programet e studimit që ofron universiteti “Eqrem Cabej” në fushën e mësimdhënies. Vepra e tij studiohet nga të rinjtë që ndjekin degët cikël i ulët dhe  gjuhë e letërsi, në të dyja ciklet e studimit.

/rtsh.al/