RTSH 24 Live

Politikë

“Onkologjiku” përplas opozitë-mazhorancë. Vokshi e Shehu: Dekompozim i sistemit shëndetësor

01/07/2024

“Onkologjiku” përplas opozitë-mazhorancë. Vokshi e Shehu: Dekompozim i sistemit shëndetësor

Deputetët e opozitës dhe ata të mazhorancës janë “përplasur” në mbledhjen e sotme të Komisionit të Shëndetësisë në lidhje me skandalin në Spitalin e Onkologjikut.

Ndërsa në rend dite ishte seanca dëgjimore me përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për hartimin e listës së barnave të rimbursueshme për 2024-ën, opozita kërkoi seancë dëgjimore me Ministren Albana Koçiu, shefen e QSUT-së dhe Shefin e Shërbimit për abuzimet te “Onkologjiku”.

Deputetja demokrate Albana Vokshi nuk ka kursyer akuzat ndaj qeverisë, sipas së cilës blen votat e qytetarëve në këmbim të një kure, medikamenti apo edhe dëftese.

“Keni vjedhur vota, keni përdorur patronazhistët që i vini koordinator në dyert e spitaleve. Ndaj silleni me abuzim ndaj pacientëve se votën ja keni blerë me një ilaç, me një kurë, me një dëftesë, atë votën e ke dhunuar me bandat kriminale, prandaj silleni me abuzim ndaj pacientëve ju.

Të kishit dalë ju nga vota e lirë, nuk do ishit kështu.

Të mos e lemë diskutimin për onkologjikun pas një viti kur të kenë humbur jetën njerëz të tjerë. Duhet tani dhe menjëherë.

Duhet të jetë ministrja, drejtoresha e QSUT dhe shefi i Shërbimit, duhet të jenë këtu t’i dëgjojmë, t’i pyesim.

Duam përgjigje, jo njerëz që vijnë këtu dhe të mos na tregojnë asgjë. Ne kërkojmë përgjigje me shkrim dhe gojë dhe as nuk përgjigjen, ose përgjigjen për të mos u përgjigjur”, u shpreh Vokshi.

Në të njëjtën linjë me të, ishte dhe deputeti Tritan Shehu i cili theksoi se ngjarja te “Onkologjiku” tregon dekompozimin e sistemit shëndetësor.

Ngjarje katastrofale, tregon dekompozimin e sistemit shëndetësor. Këto janë shkaqet e atyre që ndodhin në sistemin shëndetësor, shkaqet e të qenit antisociale, për tu shfrytëzuar për interesa klienteliste”, tha Shehu.

Nga ana e saj, deputetja socialiste Klodiana Spahiu kërkoi nga opozita që të mos e përdorë situatën për interesa politike. Sipas saj, situata është tejet delikate, ndrësa shtoi se jo të gjitha bluzat e bardha kryejnë abuzime me detyrën, pasi sikurse theksoi ajo “janë shumë shërbime që ofrohen në QSUT dhe falë të cilave shpëtohen jetë njerëzish”.

Në përfundim, opozita-mazhorancë ranë dakord që ditën e premte të mbahet seanca dëgjimore për situatën në Spitalin e Onkologjikut.

/rtsh.al/