RTSH 24 Live

Politikë

Basha përkujton 2 korrikun: Shqiptarët, sërish me sytë drejt emigrimit!

02/07/2024

Basha përkujton 2 korrikun: Shqiptarët, sërish me sytë drejt emigrimit!

Kryetari i grupimit të Demokratëve Euroatlantikë brenda PD, Lulzim Basha përkujtoi të martën 2 korrikun e vitit 1990, ditën kur shqiptarët për herë të parë rrëzuan murin e izolimit dhe u futën nëpër ambasadat e huaja në Tiranë, me shpresën e vetëdijen se meritonin një jetë më të mirë.

Me anë të një postimi në rrjete sociale, Basha shkruan se 34 vite më vonë, ndërsa përkujtohet ky moment i rëndësishëm i kujtesës historike, shqiptarët janë sërish me sytë drejt emigrimit. “Korrupsioni i përhapur në çdo degë të qeverisjes është diktatura e re që po shpopullon Shqipërinë, po varfëron familjet shqiptare dhe vret shpresën e të rinjve për të ndërtuar të ardhmen e tyre në vendin e tyre”, shkruan Basha.

Sipas tij demokratët euroatlantikë janë e vetmja alternativë për ndryshim. “Demokratët euroatlantikë janë gati për këtë ndryshim dhe do të bashkëpunojmë me të gjitha shtresat shoqërore dhe forcat politike që ndajnë me ne vlerat për të cilat guximtarët e 2 Korrikut 1990 rrëzuan muret e diktaturës. Të bindur se Shqipëria meriton më shumë, të bashkuar kundër aleancave të errëta që duan të na mbajnë në vendnumëro, mund t’ia kthejmë shqiptarëve shpresën e humbur të Shqipërisë si Europa”, përfundoi Basha.


/ rtsh.al /