RTSH 24 Live

Film

“Një Udhëtim i Shkurtër” i Erenik Beqiri, kandidat për një “Luan të artë” në Venecia

25/07/2023

“Një Udhëtim i Shkurtër” i Erenik Beqiri, kandidat për një “Luan të artë” në Venecia

Filmi “Një Udhëtim i Shkurtër” i regjisorit shqiptar Erenik Beqiri, është përzgjedhur zyrtarisht për edicionin e 80-të të Festivalit të Filmit në Venecia.

Lajmi është ndarë në rrjetet sociale nga vetë autori. “I emocionuar për të njoftuar se filmi ynë i shkurtër, është përzgjedhur zyrtarisht për edicionin e 80-të të Festivalit të Filmit në Venecia, në seksionin Orizzonti. Është një nder i madh të jesh pjesë e një eventi kaq prestigjioz kinematografik”, shkroi Erenik Beqiri në rrjetet sociale.

Filmi i tij garon së bashku me 12 filma të tjerë në kategorinë “Orizzonti Cortometragio” dedikuar filmave që përfaqësojnë tendenca të reja estetike dhe shprehëse të kinematografisë botërore, me fokusin tek talentet e rinj dhe kinematografitë më pak të njohura.

Në fakt filmi i regjisorit shqiptar është një prodhim francez. Pasi ka falenderuar gjithë kastin e filmit, regjisori Beqiri ka falenderuar për mbështetjen edhe Ambasadën franceze në Tiranë.

“Një falënderim nga zemra për të gjithë ata që e bënë të mundur këtë dhe qëndruan pranë, veçanërisht për kastën e talentuar dhe ekipin punëtor, pa të cilët ky film nuk do të ishte i mundur”, shkruan regjisori, i cili me një tjetër vepër ka qenë edhe konkurrent në “Oscars”.

Edhe më parë filmi i këtij regjisori “The Van” ( Furgoni) ka qenë në dhjetëshen më të mirë për trofeun “Oscar”.

 

/ rtsh.al /