RTSH 24 Live

Televizion

“Një natë sa një jetë”, të pathënat e Frederik Ndocit, ‘djalit rebel’ mes muzikës dhe filmit

19/11/2023

“Një natë sa një jetë”, të pathënat e Frederik Ndocit, ‘djalit rebel’ mes muzikës dhe filmit

Frederik Ndoci ka qenë protagonisti i spektaklit “Një natë sa një jetë” në RTSH1-HD, drejtuar nga Blerta Tafani. Në këtë mbrëmje plot emocione ka kaluar në revistë jo vetëm krijimtaria dhe interpretimet skenike muzikore, por edhe shumë emocione të pathëna në realizimin e disa filmave ku Frederk Ndoci ishte aktor.

Ndoci është i pari këngëtar i nominuar 15 herë për çmimin Grammy dhe ky është një rekord më vete për një artist shqiptar. Miq të Ndocit në këtë mbrëmje ishte edhe kompozitori Zef Çoba, aktori Agim Bajko, shkrimtari dhe politikani, Preç Zogaj, regjisori Armand Xhuli, si dhe këngëtari Kastro Zizo.

Mbrëmja mori ngjyra të veçanta edhe nga Esteri, 17 vjeçarja nga Shkodra, e cila  mahnit me zërin e saj teksa këndoi live këngën e famshme “Luleborë”.

Gjatë spektaklit miqtë e Ndocit treguan edhe një seri episodesh me nuanca gazmore si rrëfimi i Bajkos ku bashkë me Ndocin rrezikuan të përjashtoheshin nga shkolla për një “gromësimë fundshpine”, dhe rrëfimi për herë të parë si Bajko mbylli Frederikun në dollap për orë të tëra.

Regjisori Xhuli, tregoi episode nga sheshxhirimet ku më të spikaturat ishin ato që lidhen me filmin “Kur hapen dyert e jetës” dhe se si ia ‘shkurtonin’ jetën regjisorit dhe aktorit të famshëm, Rikard Larja gjatë xhirimeve në Theth mes dëborës.

Ndërsa kompozitori, Zef Çoba solli në kujtesë momentin kur të gjithë dasmorët rrezikuan persekutimin gjatë një dasme në Shkodër, për shkak të këngëve të huaja që këndonte Frederiku.

Në rrëfimet e tij Ndoci tregoi edhe për letrën e Ramiz Alisë, lidhur me dy gishtat lart gjatë një koncerti kur këndoi këngën “Liberta”. Një kuriozitet në këtë mbrëmje artistike ishte dhe fakti që NASA ka hedhur në hapsirë një këngë të interpretuar nga Frederik Ndoci.

/rtsh.al/