“Mirëmëngjes Shqipëri” kthehet sërish te publiku me një transmetim maratonë prej tri orësh.
Nën moderimin e dyshes Matilda Mcini dhe Florian Agalliu, ky program sjell një panoramë të plotë të aktualitetit dhe tematikave, që prekin çdo aspekt të jetës.
Nga diskutimet mbi politikat, zhvillimet më të fundit, çështjet sociale, në të njëjtën kohë kultura dhe argëtimi do të jenë pjesë e pandashme e rubrikave.
“Viti i ri vjen me ndryshime të vogla që mund t’a bëjnë emisionin më afër me publikun sa i përket informacionit i cili do të jetë në thelb në qendër të emisionit, një transmetim prej tre orësh. Do të kemi mundësi të përcjellim informacion edhe nëpërmjet lajmeve, ato sportive, motit apo titujve të gazetave”, u shpreh moderatori Agalliu.
Pjesë e ndryshimeve të “Mirëmëngjes Shqipëri” është gjithashtu edhe studioja, e cila këtë sezon vjen e arreduar ndryshe.
“Menduam që të kishte një lloj komoditeti edhe shtëpia jonë e re. Është një investim i bërë në harmoni, në intensitet me mbështetjen e Radio Televizionit Shqiptar me zv.drejtoreshën Aurora Polo në krye”, tha moderatorja Mcini.
“Mirëmëngjes Shqipëri” do të pasurohet me bashkëpunëtorë të rinj, duke sjellë energji, kreativitet dhe ide të freskëta.
“Risi tjetër e këtij formati është pikërisht ardhja e bashkëpunëtorëve. Marjo Merhori i bashkohet sërish këtij formati. Kemi Ida Zavalanin për të na përditësuar me të gjitha informacionet nga sektori i sportit. Po ashtu kemi sërish pjesë integruese edhe motin, pikërisht Klaudja Murataj që do të jetë çdo ditë pjesë e emisionit për të treguar parashikimin”, shtoi moderatorja Mcini.
“Mirëmëngjes Shqipëri” vjen tek publiku çdo ditë, nga e hëna në të premte prej orës 6:00 deri në 9:00.
Gazetare: Katerina Kule
/rtsh.al/