Përgjysmohet koha dhe procedurat e aplikimit për pajisjen me dokumente biometrike për të gjithë qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.
Ministri i Jashtëm, Igli Hasani, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha dhe administratorja e Përgjithshme e kompanisë “IdentiTek”, Freskida Halilaj, nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit “Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me dokumente biometrikë, në Zyrat e Aplikimit të Përfaqësive të Republikës së Shqipërisë”.
Përmes kësaj marrëveshjeje çdo qytetari shqiptar, që jeton jashtë kufijve të vendit, do t’i duhet vetëm 15 ditë për t’u pajisur më pasaportë të re.
Ministri Hoxha, pas nënshkrimit të marrëveshjes, e cilësoi këtë një standard të ri, që po aplikohet në funksion të lehtësimit të procedurave për qytetarët shqiptarë.
“Kjo procedurë, e cila më përpara ka qenë në një kohë më të zgjatur për rreth 30 ditë, tani do marrë 15 ditë kohë. Edhe njëherë u bëj apel të gjithë shtetasve shqiptarë, që jetojnë jashtë vendit, të aplikojnë sa më shpejt për kartat ID dhe t’i shohin bashkë me pasaportat për vlefshmërinë e afateve të skadimit”, nënvizoi ai.
Sipas administratores së “IdentiTek”, konsujt dhe përfaqësuesit e autorizuar do të kenë mundësinë të nënshkruajnë në mënyrë elektronike.
“Në vazhdimësi të nismave për të qenë më afër diasporës në prag të procesit zgjedhor, në bashkëpunim me MEPJ, jemi duke hartuar një kalendar për të vizituar shtetet ku kemi kërkesa të larta për aplikim për dokumente biometrikë. Grupet tona “mobile” do të punojnë me kapacitete të shtuara. Për sa u përket datave përkatëse ku ne do të vizitojmë vendet europiane apo SHBA, do t’i publikojmë në ditët që pasojnë”, nënvizoi ajo.
/rtsh.al/