RTSH 24 Live

Televizion

'Një natë sa një jetë', Redon Makashi, lindur e rritur në një familje artistësh, simbol i baladave të dashurisë

07/04/2024

'Një natë sa një jetë', Redon Makashi, lindur e rritur në një familje artistësh, simbol i baladave të dashurisë

Redon Makashi, djali i vetëm i dy prindërve artistë, (babai aktor dhe nëna këngëtare lirike), tipiku i djemve të bulevardit të dikurshëm të Tiranës, kompozitori dhe këngëtari tipik i baladave më të famshme të dashurisë që u kanë rezistuar kohërave për më shumë se 3 dekada, i dashuruari në thellësitë e shpirtit, por që është endur mes tingujve të pentagramit edhe mes zhgënjimeve të dashurisë, ka qenë i futar në spektaklin “Një natë sa një jetë” në RTSH nga Blerta Tafani.

Hyrja e tij në rrugën plot sfida të muzikës, nuk ishte një rastësi. Kjo, sepse Makashi lindi nga 2 prindër artistë, babai Fitim Makashi me profesion aktor dhe nëna, Drita Makashi këngëtare lirike.

Ai kreu shkollën fillore tek shkolla "Dëshmorët e Lirisë" për piano. Më pas Shkollën e Mesme Artistike "Jordan Misja" për klarinetë, por dashurohet me kitarën.

Edhe vetë Makashi e përkufizoi rrugëtimin e tij në botën e artit me shprehjen “Dardha nën dardhë bie”. Po përse nuk zgjodhi të bëhej aktor si i jati? Kësaj pyetje Makashi i përgjigjet në mënyrë racionale: “Më pëlqen filmi dhe teatri, por nuk e bëj dot.

“Mendoja se kisha zë për të kënduar, por jo për aktrim. Fillova me pianon në 8 vjeçare, pastaj me klarinetë, të cilën tani e kam harruar. Kam qenë në një klasë me Gent Myftaraj dhe Genc Gjebrenë. Nga ata e kam mësuar kitarën. Shumë këngë të mia janë kompozuar herët dhe më vjen mirë që ato pëlqehen.”, tha Makashi.  

Ndërsa Eugent Beljeri, një mik dhe bashkëpunëtor i Makashit, solli gjatë spektaklit edhe emocionet e hapave të para të rrugës në botën e artit.

“Ne i bënim provat te shtëpia e Redonit. E nisëm si aventurë. Nuk e mendonim se karriera do të vijonte nesër dhe do të zgjaste. Redit i pëlqen shumë humori. Mund të rrish 2 orë dhe një 1 orë e gjysëm merret me batuta.”, tha Bejleri.

Ndërsa Gent Myftaraj, në komentet e tij pasi nënvizoi se me Redin është njohur që i vogël theksoi se që në fillim ndjehet dhe përcaktohet perceptimi artistik.

“Prek zemrën e një femre. Ai di ta bëjë këtë. Redoni e ka pasur të lindur këtë tipar dallues. Kompozon rrallë, por janë këngë që vijojnë të kenë jehonë”, tha Myftaraj.

Ndërsa muzikanti Jorgo Papa theksoi se është rritur me këngët e Redonit, “Qepës” dhe ka pasur përvojë fantastike dhe emocionuese sa i përket bashkëpunimit.

“Është një shok shumë i mirë edhe jashtë artit. Mund të mos e takosh për muaj, por nëse e kërkon ai është aty.”, tha Papa.

Ndërsa një prej miqve të tij më të vjetër, në skenë dhe në jetë Bledar Sejko (Qepa) përveç vlerave nënvizoi se Makashi nuk është vetëm perfekt pasi dhe ai ka huqet e tij ku më klasiku është se nuk vjen asnjëherë në orar edhe kur ka koncerte.

“Ai mund të ishte bërë interpretues humori. Ka fantazi te zhvilluar. Kam përshtypjen se nëse do të ishte bërë skenarist i filmave vizatimor, ai do të ishte bërë i famshëm.”, tha Sejko.

Ndërsa këngëtarja Evis Mula nënvizoi se krijimtaria e Redonit i ka rezistuar kohës dhe se  struktura e tij muzikore mbetet e konsoliduar.

“Avantazhi i të gjitha këngëve të Redonit është se ai ka gjetur një përputhshmëri me të gjitha pjesët e strukturës se këngës për ta ndërtuar këngën të atillë që të mbesin në kohë dhe ti rezistojë asaj. Kam dëshirë të bashkëpunoj me Redon Makashin”, tha Mula.

Por a ka një projekt të ri muzikor? Për herë të parë, në studionin e spektaklit “Një natë sa një jetë” në RTSH nga Blerta Tafani, Makashi zbuloi se ka një mozaik këngësh që ende nuk i ka publikuar dhe u mjaftua me një frazë lakonike: “prisni, do të ketë gjëra të bukura”.

/rtsh.al/