RTSH 24 Live

Muzikë

"Një natë sa një jetë" - Dren Abazi, nga fusha e futbollit në arenën sfiduese të muzikës

26/05/2024

"Një natë sa një jetë" - Dren Abazi, nga fusha e futbollit në arenën sfiduese të muzikës

Dren Abazi, një nga përfaqësuesit më tipik të muzikës moderne në hapësirën shqiptare, me zërin e veçantë, tekstet plot me simbolika dashurie, vargjet e të cilave janë të mbushura shpesh plot e hare, e shpesh mbajnë edhe peshën e një trishtimi elegant, tingujt muzikorë të cilat bëhen njësh me vargjet, këngëtari i cili ka rrëmbyer zemrat e shumë grup-moshave, ka qenë në qendër të spektaklit në RTSH “Një natë sa një jetë”, të drejtuar nga Blerta Tafani.

E bashkë me të kanë qenë dhe miqtë e tij muzikant Alban Nimani dhe Brikel Guga, Ilir Voci etj., të cilët kanë sjellë kujtime të miqësisë, bashkëpunime profesionale në botën e muzikës, por edhe të pathëna.

Për Dren Abazin, hyrja në botën e spektaklit nuk ka qenë e lehtë, por një sfidë ballafaqimi me vetëveten sepse pasioni tij në rini ka qenë që të bëhej futbollist. Por ai nuk mund të ishte një përjashtim nga rregulli, pasi edhe babai ishte një muzikant, madje kitarist shumë i njohur i viteve 80 në Prishtinë.  

“Kam qenë gjithnjë i shoqëruar me muzikën. Babai ka qenë mjaft i njohur si kitarist. Kosova bënte rok shumë të mirë. Këtu e kam fjalën edhe për influencat e huaja, por edhe në kuadër të ish- Jugosllavisë. Vitet 80-të hodhën një bazë të qëndrueshme modernizimi të muzikës në Kosovë. Edhe zgjedhja ime ishte falë edhe ndikimit të babit. Në shkollë të mesme gjërat u bënë më serioze.”, tha Abazi.

Abazi: Doja të bëhesha futbollist

Ai tregoi se nuk e kishte menduar se do të bëhej muzikant, pasi muzika ka qenë dytësore në parapëlqimet e tij.

“Kam qenë futbollist për një kohë të gjatë. Futbollin e kisha ëndërr, por u venit shumë shpejt si ëndërr. Ka gjëra që ndodhin pa plane. Babai është shumë i pranishëm në skenat e mija muzikore, në prapaskenë. Babai ka qenë më i mençur që kur u martua e la muzikën. Nuk besoj se nënat duan që të bëhemi muzikantë. Ato duan që ne të zgjedhim profesione më të sigurta. Arti, muzika, shpesh të japin pasiguri. Fatin tonë në skenë e përcakton publiku, jo vetja jonë.”, tha Abazi.  

Korça, qyteti ku për herë të parë i ngjit në skenë 

Por cila ka qenë dalja e parë e tij në skenë që i dha rrugë këtij shtegtimi në botën e muzikës? Dreni tregon se në Korçë ka qenë hera e parë që ka dalë në skenë.

“Ndodhesha aty për shkak të luftës në Kosovë. Kanë qenë kohëra të vështira. Por në Korçë është një vend i jashtëzakonshëm për të debutuar në skenë. Kam hipur në skenë me një serenatë me Mihallaq Andrean një legjendë e serenatave.”, tha Abazi.

Ndërsa kënga e cila vulosi fatin e tij ishte bashkëpunimi me, Anjeza Shahinin.  

“Shkrova një këngë për Anjeza Shahinin. Ajo e çoi këngën tek Top Fest. Ishte kënga ‘Ti dhe unë’, e cila ishte ndryshe nga prurjet e kohës. Ata insistuan që ne ta këndonim duet. Dhe u shpall kënga e vitit. Fatin e këngës nuk e përcakton as ai që e kompozon as ai që e këndon. Koha ja jep vlerat. Muzika nuk është sport, as garë vrapimi. Gjithsesi, sa herë këndoj më shumë e shoh veten si kitarist, se sa si këngëtar.”, u shpreh Abazi.  

Guga: Dreni ka forcën e babait dhe dhembshurinë e nënës

Ndërsa bashkëpunëtori i tij në muzikë, Brikel  Guga u shpreh se është e vështirë të flasësh për gjëra që i njeh tek Dreni, pasi atij nuk i pëlqejnë elozhet.

“Dreni nuk do që ti bësh elozhe. E njihja më parë nga muzika që ai bënte. Më është dukur se vinte me një lloj dileme kur erdhi në ballafaqimet muzikore në Tiranë. Por është shumë serioz dhe më ka vënë në punë. Ai ka sharmin dhe besimin e të atit për t’ia dalë dhe për të mos u dorëzuar.  Por nga ana tjetër, ka edhe dhembshurinë e nënës. Për mua është e rëndësishme aspekti njerëzor. Kjo sjell edhe frymën e bashkëpunimit.”, komentoi Guga.      

Nimani: Bodrumi në Prishtinë, ku morën jetë grupet muzikore

Alban Nimani, një emër mjaft i njohur në botën e muzikës, ka hedhur vështrimin më thellë në kohë në lidhje me njohjen dhe bashkëpunimet me Dren Abazin, që e kanë zanafillën që në Prishtinë.

“Njohja me Drenin është familjare. Kemi pasur një bodrum ku ne bënim prova si grupe muzikore. Aty kanë kaluar thuajse të gjitha grupet muzikore në  Prishtinë. Ka qenë interesant se ai bodrum ka qenë poshtë kuzhinës ku gatuante nëna. Ajo kurrë nuk u ankua, madje as lagja. Kemi bërë dhe një maratonë muzikore që u mblodhëm për 1 orë dhe vijoi me orë pa mbarim gati 14 orë.”, tregoi Nimani.

Sipas tij, Dreni është një farë roken n’rolli, pasi e tillë është edhe jeta artistike e artistëve.

“Me Drenin kemi pasur ngjarje shumë të mira muzikore.  Dreni ka një stil specifik muzike. Një farë roken n’rolli. Ai e ka përdorur shumë mirë imazhin e tij në muzikë gjë që i ka dhënë fuqi muzikës që ai bën.”, u shpreh Nimani.  

/rtsh.al/