RTSH 24 Live

Muzikë

"Në Radio"/ Amela Agastra me këngën e re "Shots": Shpresoj të ndjek hapat e Dua Lipës

13/09/2023

"Në Radio"/ Amela Agastra me këngën e re "Shots": Shpresoj të ndjek hapat e Dua Lipës

Këngëtarja e re Amela Agastra sapo ka publikuar projektin e katërt muzikor të titulluar “Shots”.

Kënga është realizuar në Kosovë nga Beats Bled, ndërsa teksti është shkruar nga Elinel. Për videoklipin kemi xhiruar në Kroaci, ku bashkë me mua janë edhe figurantë kubanezë,” tregon Amela në një intervistë për emisionin “Në radio” të gazetarit Andri Xhahu.

Sapo e dëgjon të këndojë, dallon lehtësisht ngjashmërinë që ka me vokalin e Dua Lipës.

Kur kam qenë e vogël ma kanë thënë shpesh që kam një timbër të ngjashëm me Dua Lipën. Nëpër festivale gjithmonë ma kanë bërë këtë krahasim. Më pëlqen, sepse Dua është krenaria jonë dhe shpresoj të ndjek hapat e saj. Ndihem krenare kur ma thonë këtë gjë.

Amela Agastra prej katër vitesh jeton mes Londrës dhe Njukasellit (o. Newcastle) ku ndjek studimet e larta për arkitekturë. Por a është e vështirë të jesh pjesë e tregut muzikor shqiptar kur je larg tij?

Është e vështirë kur je larg, ngaqë po synoj të dyja tregjet muzikore dhe nga ana tjetër po ndjek studimet për arkitekturë. Nuk kam hapësirën për t’i bërë të gjitha përnjëherësh. Gjej mundësi të bëj muzikë kur kam pushime, por tregu është aq i shpejtë sa duhet të jesh shumë konsistent në atë që bën, gati çdo muaj. Ndaj është e vështirë. Po e marr qetësisht, por shoh që duhet të merrem më seriozisht me muzikën.

Megjithatë, sipas Agastrës, të hysh në botën muzikore britanike është shumë e vështirë.

Duhet të jesh një njeri i hedhur që të kapësh personat e duhur, sepse të rastis të njohësh aq shumë njerëz sa ti nuk di se kujt t’i besosh më përpara. Duhet të jesh shumë i mprehtë. Unë kam dashur që hapat e mi t’i bëj të sigurt, çdo lëvizje ta bëj me avokat, sepse nuk dua të gaboj.

Gjatë kësaj kohe ajo ka punuar larg syrit të publikut të saj.

Kam bërë shumë versione këngësh nëpër studio. Kam takuar producentë të ndryshëm. Po pres që koha të vendosë se çfarë do të publikoj.

Amela shprehet se ndihet krenare për gjithë sa ka arritur, pasi çdo gjëje ia ka dalë e vetme.

Gjithçka e kam arritur pa asnjë përkrahje, sepse atje je komplet vetëm. Prindërit më kanë ndihmuar deri diku, por nuk kanë çfarë të bëjnë më shumë, sepse nuk kanë njohjet e duhura. E kam studiuar tregun dhe dua që lëvizjet e mia të jenë të sigurta. Ndaj bëj pak këngë që materialet muzikore të jenë të mira.

Lidhur me mbështetjen nga kolegët, Amela shprehet disi e zhgënjyer. 

Kam pasur goxha mbështetje nga artistët e mëdhenj, por si artiste e re nuk kam gjetur mbështetje nga ata të brezit tim. Nuk pres, sepse askush nuk ta hap krahun, sepse në fund të fundit me muzikën mbahen. Tregu është i madh dhe ka hapësirë për të gjithë.

E pyetur se si u gjend në kopertinën e revistës prestigjioze “Harper’s Bazaar”, edicioni vietnamez, Amela shprehet:

Nga kontaktet që kam krijuar në Londër njoha një agjent, i cili më ndihmoi për të bërë një promovim në ‘Harper’s Bazaar’. Bëmë një aplikim dhe na zgjodhën. Zgjodha të tregoj gjërat që e bëjnë Amelën unike: modelingu, muzika dhe arkitektura. Kjo ka qenë një nga përvojat më unike që kam përjetuar. Akoma s’më besohet që kam qenë në cover-in e ‘Harper’s Bazaar’. Ka qenë fantastike.

Për përvojën me sesionin e fotografive të realizuara në studio, këngëtarja nënvizon etikën në punë.

Fotografët shqiptarë janë shumë të mirë, por ajo që mungon është përpikëria. Atje gjithçka ishte e parapërgatitur. Nuk është lënë asgjë për moment të fundit. Çdo gjë që është bërë ka qenë në dijeninë time, pra a ndihesh mirë ti te kjo gjë. U ndjeva shumë e vlerësuar. Këtu ka talente, por mungon etika e punës.

20-vjeçarja ka nisur të këndojë që e vogël. Për një publik më të gjerë është bërë e njohur falë pjesëmarrjes në spektaklin e talenteve “Gjeniu i vogël” dhe më pas nga dy pjesëmarrjet në Junior Fest Albania në vitin 2015 dhe 2017. Deri tani numëron tri këngë të shoqëruara me videoklipe “I won’t let you down”, “Pak ti, pak unë” dhe kënga më e re “Shots”.

/rtsh.al/