Me qindra qytetarë u mblodhën në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë në një marshim solidarizues në mbështetje të ish krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, të cilët ndodhën në Hagë të akuzuar për krime lufte.
Një ditë para zhvillimit të gjyqit në Hagë ndaj ish krerëve të UÇK-së, platforma “Liria ka emër” organizoi një protestë paqësore e quajtur edhe si “Marshin për Drejtësi”.
“Marshit për drejtësi” iu bashkuan më mijëra qytetarë, politikanë dhe shoqëria civile, ku kërkuan që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi të shpallen të pafajshëm nga akuzat për krime lufte gjatë luftës për çlirimin e Kosovës.
Mbështetje për protestën paqësore në Prishtinë e ka shprehur edhe kryeministri Edi Rama, i cili ka publikuar disa foto nga tubimi i qytetarëve, krahas së cilëve shkruan “Me Marshin e Drejtësisë”.
Thirrjes për pjesëmarrje në marshin e së dielës iu bashkua edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili shpërndau njoftimin për marshim si dhe kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i cili ftoi të gjithë qytetarët që t'i bashkohen këtij marshi, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ish kryeministri Isa Mustafa, Bashkësia Islame e Kosovës, Imzot Dodë Gjergji-Ipeshkev i Kosovës, Ish-Shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, etj.
“E vërteta e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e vendit tonë, është e vërteta e Kosovës, të cilën duhet ta mbrojmë të gjithë. Ne jemi të lumtur që pothuajse të gjitha partitë politike i janë bashkuar marshit. E kemi për mision e qëllim qytetar, që dinjitetin dhe të drejtën tonë ta mbrojmë me përkushtim. Në këtë rast, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, trashëgiminë e saj historike dhe luftën tonë heroike”, thanë dy ideatorët e platformës “Liria ka emër”, Ismail Tasholli dhe Eliza Hoxha.
Ky marsh u organizua një ditë para se në Hagë të fillojë procesi gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime lufte.
Ndaj tyre rëndojnë 10 akuza, për përndjekje, burgosje, ndalim arbitrar, aktet të tjera ç'njerëzore, trajtim mizor, torturë, vrasje si krim kundër njerëzimit, vrasje e paligjshme si krim lufte, zhdukje me forcë e personave, në periudhën mes prill 1998- gushtit 1991.
/rtsh.al/