RTSH 24 Live

Kulturë

“Ju flet Tirana, 27 Nëntor 1944…” - Prezantohet libri “Todo Bojdani, dokumente, kujtime, përjetime”

14/04/2024

“Ju flet Tirana, 27 Nëntor 1944…” - Prezantohet libri “Todo Bojdani, dokumente, kujtime, përjetime”

Historia e partizanit që u mori gjermanëve Radio Korçën në vitin 1943, e në nëntorin e një viti më pas mori në dorëzim Radio Tiranën, sjellë me mjeshtëri nga dy autorët Albert Zholi dhe Sulejman Basha përmes librit të tyre monografik është prezantuar në Korçë përmes një aktiviteti të veçantë.

“Ishte një figurë komplekse, e jashtëzakonshme, ishte një figurë i dashuruar me librin, me kulturën, ishte një nga radistët e parë në Shqipëri dhe aparaturat e radios atëherë numëroheshin me gishtat e dorës, nuk ishin as 10 veta”, tha autor libri Albert Zholi.

“Jam shumë i befasuar për materialet që kam gjetur dhe me nxisnin gjithmonë e më shumë që të kërkoja thellë e më thellë”, tha Sulejman Basha, autor libri.

Djali i Todo Bojdanit tregon se si lindi ideja për të botuar këtë libër monografik.

“Sebep u bë një shok i babit tim i cili nuk jeton më i cili tregonte detaje të rrëmbimit të radiostacionit të Korçës. Unë e pyeta se përse i dini këto me kaq detaje dhe mu përgjigj se kishte qenë pjesëtar në aksion dhe ky ishte fillimi që më pas shokët e tjerë erdhën dhe e pyetën, intervistuan kërkuan në arkiva dhe doli ky libër”, tha Jovan Bojdani, djali i Todo Bojdanit.

Përmes historisë së Todo Bojdanit dhe veprimtarisë së tij civile e ushtarake, kjo monografi hedh dritë edhe mbi historinë e vendit tonë në ato vite, me personazhe dhe ngjarje reale, që janë pjesë e historisë së LANÇ, Radiondërlidhjes, Radio Tiranës e Radio Korçës.

Gazetar: M. Mirashi

/RTSH/