RTSH 24 Live

Kulturë

Muzeu etnografik, falas në Lezhë. Mes objekteve edhe flamuri më i vjetër shtetëror shqiptar

28/04/2024

Muzeu etnografik, falas në Lezhë. Mes objekteve edhe flamuri më i vjetër shtetëror shqiptar

Muzeu etnografik në Lezhë është ndër muzetë më të pasura në shkallë vendi. Përgjegjësi i trashëgimisë kulturore pranë bashkisë Lezhe Paulin Zefi bën të ditur se ky muze posedon 843 objekte në total, nga të cilat, për mungesë hapësirë, vetëm 513 janë ekspozuar.

Kemi gjithsej rreth 843 objekte nga të cilat 513 objekte janë të ekspozuar si rezultat i mungesës së hapësirës së mjaftueshme, sepse aty ka nevojë të paktën për 3 pavijone të ndryshme për ti ekspozuar të gjitha dhe për të krijuar hapësirë midis objekteve”, tha përgjegjësi i trashëgimisë kulturore pranë bashkisë Lezhe Paulin Zefi.

Shërbimi nga bashkia ende ofrohet falas pa bilete, ku vërehet një rritje e ndjeshme e numrit të vizitorëve e turistëve të huaj.

Ne vijojmë ende të japim shërbimin falas, është i vetmi muze në Shqipëri që shërbimi ofrohet falas, me guide, me ciceron një shërbim i plotë”, tha Paulin Zefi.

 Krahas lëndës së pasur që ka ky muze, objektet më me vlerë janë flamuri më i vjetër shtetëror shqiptar dhe armët e prodhimit artizanal që ruhen në një gjendje shumë të mirë.

Objekti më me vlerë, të gjithë kanë vlerën e vet por më specifike është flamuri më i vjetër shtetëror që ruhet në Shqipëri. Është flamuri i vitit 1914 dhe është në gjendje shumë të mirë por kemi dhe armët e prodhimit artizanal që janë në gjendje shumë të mirë dhe janë të paktën 10 armë artizanale”, tha Zefi.

Për vizitorët e turistët e huaj, numri i të cilëve sa vjen dhe po rritet, objektet më të vizitueshme në qytetin e Lezhës, mbeten Memoriali i Skënderbeut, Kalaja Mesjetare dhe Muzeu Etnografik.

Gazetare: E. Dyrmishi

/RTSH/