RTSH 24 Live

Kulturë

Këngët qytetare të Elbasanit, himnet e pavdekshme të dashurisë që s’kanë nevojë për pentagram

12/05/2024

Këngët qytetare të Elbasanit, himnet e pavdekshme të dashurisë që s’kanë nevojë për pentagram

Tingujt e muzikës së Shqipërisë së Mesme, ku ‘qershia mbi tortë’ ishte muzika qytetare e Elbasanit, ka qenë në qendër të spektaklit “Një natë, sa një jetë” në RTSH të drejtuar nga Blerta Tafani.

Yje ndër vite të muzikës elbasanase që përfaqësojnë dhe trashëgiminë më brilante të këngëve të kompozuara që nga Isuf Myzyri, si dhe artistë të tjerë, e përfaqësuar nga një prej zërave më shkëlqyes si Mehdi Zena, këngëtarë të një brezi pak më të ri si Mustafa Mehja dhe Eglantina Toska, instrumentistë dhe muzikantë të njohur në fushën e interpretimit dhe të krijimit si Sopot Serica dhe Arban Topalli, por dhe një vajzë tipike nga Elbasani e brezit të ri të muzikës bashkëkohore si Krusita, kanë qenë personazhet e kësaj mbrëmje mjaft të veçantë.

Mehdi Zena, në komentet e tij rreth muzikës qytetare elbasanase ka bërë një pasqyrë të krijimtarisë së spikatur ndër dekada të muzikës qytetare duke vënë theksin se këto këngë janë të pavdekshme.

“Ka kaq vite që i këndoj këto këngë me të njëjtën dashuri dhe pasion. Ndjehem shumë mirë që konstatoj që edhe rinia i mban të gjalla këto këngë duke i kënduar ato. Kam filluar të këndoj që në vitin 1971, të këndoj këngën qytetare të Elbasanit. Kam kënduar me të madhin Bik Ndoja. Kam qenë në skena me Zeliha Sinën, Zina Zdravën, Fatma Zyberin e shumë e shumë artistë të tjerë të mëdhenj. Krijuam në 79 ansamblin ‘Isuf Myzyri’.  Talentin për të kënduar e kam të trashëguar nga babai. Ai ishte krahu i djathtë i Isuf Myzyrit. Kishte vetëm një violinë. Shkruante tekstet. Këndonte shumë mirë, madje shumë më i mirë se ne.”, tha Zena.  

Ndërsa muzikanti Sopot Serica theksoi se këngët e Elbasanit janë vërtetë më të bukurat në pellgun e Shqipërisë së Mesme.

“Ato këndohen në të gjithë vendin, por edhe në të gjitha trevat tona me shqiptarë si Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi. Gjakova spikat sepse i interpreton thuajse saktësisht këngët tona. Ka shumë instrumentistë të mrekullueshëm që interpretojnë këngën. Unë vetë studiova disa instrumente dhe fëmijëve u kam lënë trashëgim dashurinë për muzikën. Një trashëgimi brezash.”, tha Serica.   

Një zë i veçantë që e intepretonë në mënyrë të përkryer këngën elbasanase është edhe Eglantina Toska

Sipas saj, këngët e Elbasanit janë të mrekullueshme dhe janë të kudo kënduara .

“Kanë vlera dhe përshkohen nga tinguj të mrekullueshëm. Ndonëse kisha dëshirë të këndoja këngë të muzikës së lehtë u dashurova me këngën popullore dhe nuk heq dorë më”, tha Toska.  

Edhe Mustafa Mehja, një nga vijuesit e interpretimit të vlerave më të spikatura të këngës, theksoi se muzika popullore e Elbasanit është më e vështira, por është pikërisht kjo vështërsi që e bën shumë të bukur.

“Janë të gjitha këngë për dashurinë e jo për luftën. Muzika e Shqipërisë së Mesme është në harmoni me çdo tingull. Por kjo spikat më së shumti në muzikën elbasanase”, tha Mehja.

/rtsh.al/