RTSH 24 Live

Kulturë

Rikthehet treni i muzikës Jazz - Festa nisi në tren dhe përfundoi në teatrin ''Migjeni''

28/04/2024

Rikthehet treni i muzikës Jazz - Festa nisi në tren dhe përfundoi në teatrin ''Migjeni''

Treni i "Swing Marathon" mbërriti sërish në stacionin e Shkodrës pas dy viteve mungesë. Udhëtarë ishin "adhuruesit" e muzikës Jazz që sillnin vitet '40 - '50 me veshjet e tyre. "Andrra n'tren" i dedikohet ditës ndërkombëtare të kësaj muzike që në vendin tonë i ka fillesat në vitet '20 në Shkodër.

“Ishte shumë e bukur, shumë magjike”, tha një nga pjesëmarrëset

“Është një eksperiencë shumë e bukur”, tha një tjetër pjesëmarrëse.

Fotot tradicionale mbi lokomotivë, Banda Frymore e qytetit, Grupimi i Vespave dhe biçikletave dhe parada ishin disa nga detajet e festës, të cilës  iu bashkua edhe Kryetari i Bashkisë, Benet Beci.

“Fantastike, është një atmosferë pozitive, e mrekullueshme, organizim i shkëlqyer. Për Shkodrën është shumë e rëndësishme, këto aktivitete dhe kjo energji pozitive”, tha kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci.

Atmosfera vijoi më tej në rrugët e qytetit me performancat e deejay-ve ndërsa si pjesë e dekorit qëndronin makinat dhe objektet retro. Në po të njëjtën kohë u zhvillua edhe spektakli me muzikë jazz në teatrin "Migjeni" duke argëtuar të pranishmit deri në orët e vona të mbrëmjes.

/RTSH/