Decentralizimi është një nevojë e të gjithë vendeve tona, jo vetëm në drejtim të kërkesave të integrimit, por edhe në pikëpamje të mirëmenaxhimit, forcimit të demokracisë dhe dhënies përparësi të nevojave specifike të komuniteteve.
Për tri ditë në Tiranë do të mbahet një konferencë e një rëndësie të veçantë, e organizuar nga Fondi i Ballkanit Perëndimor dhe Ambasada e Japonisë në Tiranë, së bashku nga partnerët dhe me pjesëmarrjen e 60 bashkive, si edhe ministra të pushtetit vendor dhe të administratës publike nga 6 vende të Ballkanit.
Ky është viti i gjashtë që Japonia i bashkohet Fondit në këtë aktivitet, në vazhdën e përpjekjeve të shtetit aziatik për të kontribuar në procesin e "ripajtimit" nisur nga e kaluara konfliktuale që ka kaluar Ballkani Perëndimor.
Përfaqësuesja e ambasadës japoneze, Fiona Dinollari, tha për emisionin "Mirëmëngjes Shqipëri" në RTSH 1 se Japonia ka një agjendë të qartë për zhvillimin e rajonit.
"Japonia është një mbështetës dhe partner i shtetit shqiptar, i cili vazhdimisht e suporton me anë të projekteve për infrastrukturën njerëzore, për rritjen e kapaciteteve të administratës publike, por edhe të rinjtë. Janë programe që krijojnë kapacitetet, burimet njerëzore, në mënyrë që vendi të ecë sa më shpejt drejt zhvillimit, por edhe drejt integrimit në Bashkimin Europian. Kjo vlen për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor," u shpreh znjsh. Dinollari.
Konferenca e fundit shihet si një platformë për shprehjen e shqetësimeve të përbashkëta të vendeve të rajonit dhe në njohjen e mekanizmave për bashkëpunim.
Menaxherja e programit në Fondin e Ballkanit Perëndimor, Dafina Beqiri, tha se bashkëpunimi dhe lëvizshmëria ndonjëherë kthehen në sfida kryesore për vendet pjesëmarrëse. Problemi i talenteve apo burimeve njerëzore po ashtu e vështirëson punën e pushteteve lokale në rajon.
"Vetë shoqëria civile është shumë e zëshme. Kanë pasur interes të madh organizatat që vijnë nga Serbia, Maqedonia e Veriut, Kosova. Në aspektin e pushtetit vendor, si nga Serbia, si nga Bosnjë-Hercegovina nuk ka shumë interes për të marrë pjesë [në aktivitete të tilla]. Kurse nga niveli qeveritar, po. Serbia është më e interesuar të marrë pjesë në nivel qeveritar dhe jo në pushtetin vendor, dhe kjo më ka bërë përshtypje. Lëvizshmëria mbetet një prej problemeve kryesore, duke pasur parasysh që Bosnjë-Hercegovina akoma aplikon viza për kosovarët," tha znj. Beqiri.
/rtsh.al/