Kryebashkiaku Erion Veliaj ka reaguar sërish këtë të martë (4 mars) nga qelia për arrestimin e tij dhe atyre që ai pretendon se akuzohet në dosje.
Me anë ë një postimi në rrjetin social Facebook, Veliaj shprehet se arsyeja e firmosjes nga gjykatësi e prokurori të arrestimit të tij, lidhet me frikën e prishjes së provave.
Veliaj shton se, nuk ka asnjë provë që ai mund të “zhdukë” përsa kohë telefoni i tij është në duart e tyre.
Reagimi i Veliajt erdhi pak pas vendimit të GJKKO për rrëzimin e kërkesës së tij për kthimin e telefonit të sekuestruar.
“Dje rrëzova “frikën e ikjes” prej Ols Dados e Erion Banit, pasi kisha ikur 3 herë e isha kthyer 3 herë, teksa gatuhej çarku ndaj meje.
Arsyeja e dytë pse gjykatësi Bani pranoi nga Olsi burg për mua, është rreziku i prishjes së provave. Po cilat prova do prish unë? Celularët i ka Olsi, timin dhe të nja 10 grarive në Tiranë, me të cilët mund të vojerizojë gjithë ditën e gjithë natën, të shohë çdo foto familjare, bebet, kërthizën, dhëmbin e parë, videot e fjalëve të para, fotot me gjyshin e ndjerë në plazh; të gjitha provat e nevojshme për ku e si jetojmë.
Cilat prova do të prish unë? Kanë edhe lodrat e fëmijëve dhe ish makinën e vjehrrit. Ç’a halli kanë? Mos do vete do formoj legot, e nga traktor do bëj vapor lodër, apo do marr makinën e Ben Xoxës e do e djeg në Fushë-Krujë a Mumajes si mjet i krimit?
Çfarë provash do prish? Do vete në Yrshek të nxjerr fakirin nga shtëpia një katëshe apo do fshij statuset për balerinët e Preljocajt?”, shkruan Veliaj.
Sipas kryebashkaikut, me arrestimin e tij nuk po u tregohet asgjë tjetër qytetarëve, veçse dënimin me burg të personave kurajozë, punëtorë e progresivë.
“Boll u bëtë qesharakë! Po i thoni miletit se po punove do ta hash, po pate kurajo do dënohesh, po solle progres do të bëjnë gjëmën, po fitove do të të shqyejmë.
Olsi Dado dhe Erion Bani, ju mendoni se jeni më të lirë se unë në burg, por ju burgun e keni në shpirt e njerëz të lirë nuk keni qenë kurrë!”, shkruan më tej Veliaj.
/rtsh.al/