Kongresit Botëror i Ligjit do të zhvillohet në Shqipëri në vitin 2027.
Marrëveshja u firmos në Spanjë nga ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, në praninë e kryeministrit Edi Rama dhe ish-homologut të tij, Felipe Gonzalez.
Në fjalën e rastit, shefi i qeverisë u shpreh se modeli spanjoll i të bërit drejtësi ka qenë një pikë referimi për Shqipërinë që ai drejton, për shkak edhe të kaluarës së përafërt në diktaturë.
Rama, megjithatë, theksoi se stigma e "zymtësisë" dhe e kriminalitetit vazhdon ta përndjekë Shqipërinë, pa të drejtë.
"Shqipëria është larg së qenët ajo çfarë ju kanë thënë, është larg së qenët vendi që është persekutuar për kaq shumë kohë nga stigma e të qenët një vend i zymtë, se është një vend kriminelësh, rrëmbyesish, hajdutësh. Nuk është se nuk i kemi të gjitha këto, por janë po aq shumë e po aq pak sa në çdo vend tjetër.
S'kemi pasur kurrë ndonjëherë shtet të së drejtës, një drejtësi të pavarur, kurrë ndonjëherë nuk kemi pasur traditën e institucioneve. Në rrekjen tonë për drejtësi, historia e rishtë spanjolle dhe modeli spanjoll kanë qenë model frymëzimi. Do të kthehem te ajo çfarë kë thënë [ish-kryeministri] Felipe Gonzalez: politika është një luftë për pushtet, por po kështu është edhe lufta për drejtësi," tha z. Rama.
Kryeministri kujtoi se Shqipëria e ka merituar mbajtjen e një eventi madhor si Kongresi Botëror i Ligjit. Ai iu referua ecurisë me reformën në drejtësi, që është vlerësuar ndërkombëtarisht.
"Kemi kaluar nëpër një reformë të jashtëzakonshme drejtësie, një pastrimi të jashtëzakonshëm të sistemit tonë të drejtësisë nga gjyqtarë e prokurorë të korruptuar. Procesi i rivlerësimit ka marrë shumë vëmendje e mjaft respekt në Evropë, dhe ka qenë thelbësor për ne që të ecim përpara. Që kur kemi një shtet dhe jemi një shtet i ri, pasi u pavarësuam nga Perandoria Osmane në 1912, kemi një gjyqësor që nuk është është më në duart e politikës dhe na duhet të jemi dëshmitarë të kësaj gjëje duke parë edhe njerëz nga partia jonë, nga shumica jonë, që të japin llogari para drejtësisë. Ne e dinim këtë dhe nuk pendohemi. E kundërta. Do të nxisim sa më shumë të jetë e mundur që më së fundi shteti i së drejtës të jetë emëruesi i përbashkët i shoqërisë sonë.
Ka shumë tundime sot, sidomos në pjesën perëndimore të Evropës, për të menduar për largimin nga Bashkimi Evropian, për mbylljen e kufijve, për kthimin në kufijtë e vjetër doganorë, ku vendet ishin gjithsecili më vete. Shpeshherë më duhet t'i përgjigjem pyetjes se ç'plan B ka Shqipëria duke qenë BE-ja plani ynë A. Unë përgjigjem shumë bindshëm që nuk ka plan B për ne, sepse të kemi një plan B kundrejt Bashkimit Evropian do të thotë të kemi një plan B kundrejt lirisë individuale; një plan shtetit kundrejt shtetit të së drejtës është një plan B kundrejt demokracisë; dhe në qoftë se ke një plan B kundrejt këtyre të triave atëherë do të jesh i dënuar të jetosh në një shoqëri të kategorisë B me shumë njerëz ku ka humbës e fitues. Ne nuk e duam këtë. Ne duam një vend ku të gjithëve u jepet mundësia të fitojë dhe askush nuk mund të fitojë në kurriz të dikujt tjetër. Kjo mund të ndodhë vetëm nëse ne, në mënyrë këmbëngulëse, zbatojmë liritë individuale, shtetin e së drejtës dhe demokracinë," deklaroi kryeministri.
/rtsh.al/