Tirana nuk e ka pasur kurrë më parë një vrasës serial. Tani e ka! E quajnë "Flutura e Zezë”. Më tepër për të mund të mësojmë në librin e fundit të autorit Enkelejd Lamaj. Pas tre përmbledhjeve me tregime horror dhe dy romaneve, shkrimtari Enkelejd Lamaj vjen me një thriller, i cili na rrëfen një histori ngjethëse, plot terror e tension të lartë. Historia e romanit “Gjithçka që ke” rrotullohet rreth shkrimtares Adelina Hoxhaj, gazetares Sidorela Ejlezi dhe Fluturës së Zezë.
Flutura e Zezë është një vrasës i paskrupullt, i cili hyn në shtëpitë e viktimave dhe i masakron, duke u gjymtuar organet në mënyra mizore. Firma e tij është pikërisht një flutur e zezë, e fiksuar me gozhdë në qafën e viktimës. Dhe, teksa frika dhe terrori ulen këmbëkryq mbi kryeqytet, një seri zbulimesh, hap pas hapi, do të ngrenë dyshimin se vrasësi mund të jetë Kushdo.
Ngjarjet zhvillohen në disa vende të kryeqytetit, vendlindjen e autorit, Lushnje dhe disa lokacione të tjera. Personazhet po ashtu autori ka vendosur t’i emërtojë me emra shqiptar, përmes të cilëve sjell realitete të përditshme që ne çdo i hasim në vendin tonë.
Lamaj shprehet se filmat horror dhe thriller që ai ka parë e kanë frymëzuar për t’u kanalizuar në këtë zhanër. Madje edhe kur ai ulet të shkruajë, ngjarjet dhe skenat i krijon në atë mënyrë, sikur të jetë duke hedhur në letër skenarin e një filmi.
Me thrillerin “Gjithçka që ke”, Lamaj e çon letërsinë e tij në një nivel tjetër, duke krijuar kështu një frymë të re në lëmin e letrave shqipe.
Letërsi
“Gjithçka që ke”, shkrimtari Enkelejd Lamaj sjell një roman thriller tronditës
15/09/2021
Lajmet kryesore
5 orë para