RTSH 24 Live

Kulturë

''Festivali i parë folklorik'' i Selenicës, synohet ruajtja e këngës, valles dhe polifonisë së zonës

29/11/2023

''Festivali i parë folklorik'' i Selenicës, synohet ruajtja e këngës, valles dhe polifonisë së zonës

Është atmosfera e çeljes së Festivalit të Parë Folklorik, dje në Selenicë,  një festival që u zhvillua për herë të parë. Në skenë u ngjitën dhjetëra artistë popullorë të moshave të ndryshme, ku  sollën në mënyrë autentike   elementë të folklorit dhe polifonisë nga 10 grupe që morën pjesë. Grupet nga Sevastëri, Vajza, Velça, Gjormi, Kota, Drashovica, Armeni, Lubonja, Koculi e Romësie shndërruan festivalin në një manifestim të kulturës popullore me zëra e larmi kostumografie, ku spikati si perlë  polifonia.

Bashkia si njëra prej organizatoreve të festivalit, këtë event të rëndësishëm kulturor ,  që e organizoi për herë të parë, do ta ketë pjesë të rëndësishme të aktiviteteve kulturore e turistike, duke shtuar dhe me shumë vlerat e zonës dhe ruajtur traditën e pasur kulturore.

“Ky është festival që është organizuar për herë të parë në bashkinë e Selenicës me pjesëmarrjen e grupeve të cilët janë në juridiksion të kësaj bashkie. Ne e kemi vënë theksin tek grupet e fshatrave”, tha kryetari i bashkisë Selenicë.

Bashkëpunimi i frytshëm e Drejtorisë Rajonale të  Trashëgimisë Kulturore të Vlorës me bashkinë Selenicë solli një sukses të grantuar të festivalit. Për këtë institucion Selenica ruan dhe trashëgon vlera të papërsëritshme të kësaj trashëgimie, ndaj ky festival do të jetë një institucion që do evidentojë e ruajë këtë vlera.

Befasia e festivalit përveç grupe folklorike vendase ishte dhe pjesëmarrja e një ansambli të vogël nga qyteti Inegol i Turqisë nga një origjinë e hershme shqiptare nga Komunava, dhe që e çuan në ovacione spektatorin.

Në këtë ditë kulture në Selenicë ishin të pranishëm dhe deputetët e Vlorës Vullnet Sinaj e Teuta Rama dhe prefekti i Vlorës  Flamur Mamaj. Festivali që u zhvillua në vigjilje të  “Shpalljes së Pavarësisë”,  pati dhe mjaft atmosferë kuqezi. Ky Festival që sivjet shënoi edicionin e parë do të jetë i përvitshëm në festën e flamurit dhe synon të ruajë e rijetëzojë  kulturën e pasur popullore të Selenicës,  si një pjesë e rëndësishme e kulturës tonë kombëtare.

/RTSH/