RTSH 24 Live

Ekonomi

Detajet e projektit hekurudhor Durrës - Prishtinë që do të mbështetet nga Britania

22/05/2024

 Detajet e projektit hekurudhor Durrës - Prishtinë që do të mbështetet nga Britania

Ndërsa Britania e Madhe do të ofrojë mbështetje për projektin e hekurudhës Durrës – Prishtinë, Shqipëria dhe Kosova kanë deklaruar se kjo linjë përfaqëson një projekt strategjik shumë të rëndësishëm për zhvillimin e ardhshëm të rajonit të Ballkanit Perëndimor. 

Projekti nis me portin e ri të Durrësit, që do të ndërtohet në Porto Romano dhe do të ketë si pikë fundore portin e thatë në Prishtinë.

Ideja për ndërtimin e një linje hekurudhore që lidh Shqipërinë me Kosovën ka nisur shumë vite më parë, por gjatë vitit 2021, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e Kosovës nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi për bashkëpunim në fushën e transportit hekurudhor. Ai u finalizua në mbledhjen e të dy qeverive në Prishtinë, në 20 Qershor 2022, duke i hapur rrugë zbatimit të projektit.

Në nëntor të vitit që shkoi Hekurudha Shqiptare shpalli konsorciumin fitues, që do të hartojë studimin e fizibilitetit, që do të shërbejë më pas për tenderimin dhe zbatimin e projektit. Afati për përfundimin e dokumentit është 14 muaj nga nënshkrimi i kontratës, çka do të thotë se ai do të mund të dorëzohet gjatë vitit 2025.

Ndërkaq, ndonëse studimi i fizibilitetit nuk ka përfunduar, qeveria shqiptare dhe ajo kosovare kanë deklaruar se e pëlqyeshme është  gjurma që nis në Portin e ri të Durrsit në Porto Romano, vazhdon drejt Shkodrës, Gjakovës e përfundon në Prishtinë. Paralelisht, në mars të këtij viti u bënë edhe ndryshimet buxhetore, me qëllim financimin e portit tregtar në Porto Romano.

Fillimisht, u deklarua se porti do të ndërothej përmes partneritetit publik – privat, por më pas u vendos ndërtimi me fonde buxhetore. Shkak për këto ndryshime sipas qeverisë është fakti se zona do të jetë jo vetëm tregtare, por edhe militare dhe se ky investim është pjesë e angazhimit të Shqipërisë si anëtare e NATO-S. Për këtë vepër portuale janë akorduar 9.88 mld lekë, ndërsa parashikohet mbështetje buxhetore me 14.7 mld lekë për vitet buxhetore 2025 dhe 2026.

/ rtsh.al /