RTSH 24 Live

Serbi

“Çdo sulm ndaj Kosovës është dhe ndaj Shqipërisë”, Vuçiq: Serbia nuk ka ndërmend të sulmojë askënd

16/02/2024

“Çdo sulm ndaj Kosovës është dhe ndaj Shqipërisë”, Vuçiq: Serbia nuk ka ndërmend të sulmojë askënd

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq e ka cilësuar “të tmerrshme” deklaratën e një dite më parë të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama se “çdo sulm ndaj Kosovës është sulm ndaj Shqipërisë”, duke theksuar se Serbia nuk do të sulmojë askënd.

Dëgjuam nga një shtet fqinj se nëse dikush sulmon Kosovën, edhe pse nuk e di kush do të sulmojë, Shqipëria nuk do ta lejojë dhe do të jetë në anën e saj. Pas një deklarate kaq të tmerrshme, pati një heshtje të madhe, aq e fortë, saqë ishte e pakëndshme,” tha Vuçiq gjatë ceremonisë së Ditës së Shtetësisë në Presidencën e Serbisë.

Askush nuk iu përgjigj deklaratave të tilla, imagjinoni sikur dikush nga ne ta kishte thënë këtë, do të kishit dëgjuar bubullimat e mallkimeve, fyerjeve dhe fushatave më të pista nga e gjithë bota,” shtoi presidenti serb.

Vuçiq deklaroi se Serbia do të mbrojë marrëdhëniet e saj me Evropën, por theksoi se nuk do të shkelë marrëdhëniet e saj me Rusinë apo Kinën.

Për sa na përket neve, nuk kemi nevojë të sulmojmë askënd dhe nuk do ta bëjmë. Ne kemi nevojë për Evropën, ndoshta jo për hipokrizinë e saj, por nuk mund të bëjmë pa të,” u shpreh kreu i shtetit serb.

Një ditë më parë, Kryeministri Edi Rama gjatë një interviste për emisionin “Kontekst” në televizionin ATV tha se “çdo sulm ndaj Kosovës është sulm ndaj Shqipërisë”. Ai theksoi se Kosova nuk është e vetme, jo vetëm sepse ka Shqipërinë, por sipas tij sepse në krah ka edhe aleatë strategjikë.

RTSH