Ish kryeministri Sali Berisha është paraqitur këtë të mërkurë (11 shtator) në SPAK, ku u njoh me akuzat lidhur me hetimet ndaj tij për dosjen “Partizani”.
Pas më shumë se 256 ditësh në arrest shtëpie, Berisha i është drejtuar SPAK, aty ku ai vetë thotë se “pret të marrë një vendim politik nga mercenarët e Ramës”.
Nga ana e tij, SPAK i ka komunikuar akuzën për korrupsion pasiv, ndërsa vijon ende hetimet deri në përfundim të afatit, ku bashkë në këtë dosje Berisha po hetohet edhe për pastrim parash. Nëse deri në përfundim të hetimeve nuk do kolaudohet për hetimin pasuror, SPAK do të ndajë në një fraksion të dytë hetimin pasuror.
Njohja e tij me akuzat e prokurorisë kanë zgjatur vetëm pak minuta, ku pas daljes Sali Berisha tha se iu komunikuan akuzat e mëparshme, por pa i përmendur ato. Më herët SPAK kishte akuzuar Berishën për “korrupsion pasiv” dhe “shpërdorim detyre”.
“Jam i pandehur. Më thanë më ka korruptuar dhëndri im! Piramidë fund e krye mashtrimi! Shpella e krimit të organizuar në Shqipëri. Është një hakmarrje politike dhe nuk ka asnjë provë që të dëshmojë se ka shkelje të ligjit. Duan që ti kapin kokën PD ,por u garantoj shqiptarëve se Rama do përgjigjet për këtë. Më komunikuan akuzat që kanë ngritur më herët”, tha Berisha pas daljes nga SPAK.
Para SPAK mbështetës të tij u mblodhën në shenjë proteste kundër vendimit të Prokurorisë së Posaçme që mori të pandehur ish kryeministrin dhe kreun e PD, Sali Berisha.
Berisha ka mundur të flasë para mediave i rrethuar nga mbështetësit e tij edhe para se të hynte në SPAK, ku e akuzoi si “prokuroi private politike të Ramës” dhe prokurorët si “mercenarë të kryeministrit”. Berisha tha se nuk ka firmosur asnjë dokument që u ka bërë presion njerëzve që të shpronësojnë dhëndrin e tij tek ish klubi Partizani, ndërsa tha se shteti nuk ka humbur asnjë para publike. Sipas tij të gjithë akuzat janë të fabrikuara nga Rama dhe se SPAK ka manipuluar dokumentet.
“Prokuroria politike e Ramës, SPAK bazuar në kallëzimin e rremë të Taulant Ballës ka hetuar Sali Berishën në tre breza deri te mbesat e mija qysh në një kohë kur ato nuk kishin lindur ende. Ata kanë hetuar veprimtarinë e PD që para 20 vitesh deri të zgjedhjet e vitit 2023. Me urdhër politik, mercenarët e SPAK mbajnë në arrest antikushtetues kryetarin e opozitës pa asnjë fakt por me dëshirë të Ramës. SPAK, prokuroria private politike e Ramës, me dosjen Partizani krijoi një mashtrim dhe manipuloi dokumente publike, kreu shkelje kushtetuese të përsëritura dhe la në burg shtëpie në mënyrë të paligjshme Sali Berishën me qëllim për të plotësuar dëshirën e Ramës.
Në dosjen hetimore Partizani mungon fakti penal dhe shteti nuk ka humbur asnjë qindarkë para publike. Berisha u vu në arrest pas kallëzimit të rremë të Taulant Ballës se toka nuk iu takonte pronarëve, pasi ishte shpronësuar nga autoritete italiane. Prokurorët politik e dinin se kjo nuk ishte e vërtetë pasi e faktonin fletoret zyrtare të viteve ‘42-43. Firma e Berishës nuk ekziston në asnjë prej dokumenteve dhe nuk ka asnjë dokument që fakton se Berisha i ka bërë presion ndokujt për të bërë shpronësimet për klubin Partizani. Sot unë marr akuzën politike dhe do njihem me materialet e manipuluara. Krijoi piramidë mashtrimi. Sot po shkoj të marrë akuzën politike. Akuzë pa provë, fakt e dokument por vetëm të diktuar nga Edi Rama”, tha Berisha.
Pasi Berishës, do të jetë dhëndri i tij Jamarbër Malltezi që do të njihet me akuzat, i cili gjithashtu ndodhet në “arrest shtëpie” për dosjen “Partizani”.
Berisha ndodhet në “arrest shtëpie” prej 30 dhjetorit 2023 për hetimet për çështjen “Partizani”, pasi akuzohet se ka favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi për marrjen e pronave te kompleksi sportiv Partizani, përmes vendimeve të qeverisë në kohen kur ishte kryeministër. Malltezi akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash duke përfituar nga vendimet e marra nga Berisha.
/rtsh.al/