RTSH 24 Live

Aktualitet

Zjarri në Kavajë, Drejtori i MZSH-së: Më shumë se 10 hektarë në flakë. 2 të arrestuar për zjarrvënie

25/07/2024

Zjarri në Kavajë, Drejtori i MZSH-së: Më shumë se 10 hektarë në flakë. 2 të arrestuar për zjarrvënie

Zjarri masiv në Kavajë vijon të jetë aktiv, ndërsa flakët kanë përfshirë më shumë se 10 hektarë  tokë me ullinj dhe shkurre.

Në një deklaratë për mediat, Drejtori i Përgjithshëm i MZSH-së, Arben Cara tha se në vendngjarje kanë shkuar të gjitha forcat zjarrfikëse edhe të bashkive fqinje dhe se po punohet intensivisht për shuarjen e flakëve. Ai theksoi se situata vështirësohet shumë për shkak të erës që fry në zonë.

Dy persona janë shoqëruar për zjarrvënie, teksa Cara i bëri thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes.

Janë vënë në lëvizje të gjitha forcat zjarrfikëse edhe të bashkive fqinje me rreth 50 forca zjarrfikëse për të vënë në kontroll flakët që kanë përfshirë më shumë se 10 hektarë tokë me shkurre e ullinj. Ka pasur rrezik për banesat afër por ndërhyrja ka bërë që deri më tani të mos preket asnjë banesë. Forcat operacionale MZSH-së po vazhdojnë edhe gatë gjithë natës do monitorojmë çdo vatër zjarri.

Jemi përballur me erë shumë të fortë ku zjarrfikësit e Kamzës, heronj të vërtetë, u përballën dhe u mbyllën në një vatër zjarri dhe arritën ta mbajnë nën kontroll që bëri të mos rrezikoheshin banesat. Zjarrfikësit janë rrezikuar në disa raste sepse era është në favor të zjarrit dhe ndryshimi i drejtimit të saj bën që të jemi të papërgatitur për t’u evakuuar. Në këtë rast kemi 2 të shoqëruar të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme. Çdo person që ndez një zjarr, me apo pa qëllim, duhet ta kuptojë që quhet vepër penale dhe dënohet”, u shpreh ai.

Në vendngjarje ishte i pranishëm më parë edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla dhe kreu i Bashkisë së Kavajës.