RTSH 24 Live

Aktualitet

Zjarri në fshatin Grapsh të Dropullit, Peleshi: Nuk ka më rrezik për banorët

09/07/2024

Zjarri në fshatin Grapsh të Dropullit, Peleshi: Nuk ka më rrezik për banorët

Zjarret në fshatin Grapsh të Dropullit dhe në fshatin Kardhikaq në Finiq nuk paraqesin më rrezik për banorët. Kështu ka bërë me dije Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi përmes një postimi në Facebook, ku shkruan se flakët janë vënë nën kontroll.

Pas një pune të pandërprerë të forcave në terren dhe nga ajri ka përmirësim të situatës së zjarrit në fshatin Grapsh në bashkinë Dropull dhe në fshatin Kardhikaq në bashkinë Finiq, duke mos shfaqur më rrezik për banorët dhe banesat e fshatrave. Megjithatë forcat operacionale të Dropullit, Gjirokastrës, Tepelenës, Përmetit, Këlcyrës, Memaliajt, Finiqit, Sarandës, Himarës, Delvinës dhe Konispolit vijojnë punën për shuarjen e zjarrit, pasi rreziku për riaktivizimim e vatrave vijon ende si pasojë e ndryshimit të shpejtësisë së erës”, shkruan Peleshi.

Në terren për shuarjen e flakëve është edhe një helikopte Cougar dhe 3 zjarrfikëse të Forcave të Armatosura. Peleshi bën me dije se pritet edhe aktivizimi i dy avionëve PZL nga Greqia, pas kërkesës për mbështetjen e Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile.

Forcat e Armatosura dhe helikopteri Cougar vijojnë mbështetjen e tyre, ndërsa janë shtuar në këtë aksion edhe tre mjete zjarrfikëse të FA. Situata po ndiqet nga afër edhe nga zv.ministri i Mbrojtjes, Enkelejd Joti. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile kërkoi edhe mbështetjen e Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, nga i cili ofruan ndihmën e tyre tre shtete. Pritet aktivizimi i dy avionëve PZL nga Greqia, si vendi më afër vatrave të zjarrit”, thekson Peleshi.

/rtsh.al/