RTSH 24 Live

Aktualitet

Zjarr në një sipërfaqe të madhe toke në Kavajë, ndërhyhet nga toka dhe ajri. Në vendngjarje edhe ministri Balla

25/07/2024

Zjarr në një sipërfaqe të madhe toke në Kavajë, ndërhyhet nga toka dhe ajri. Në vendngjarje edhe ministri Balla

Një sipërfaqe e madhe me pemë është përfshirë nga flakët në Kavajë, ndërsa shërbimet zjarrfikëse dhe Forcat e Armatosura po vijojnë përpjekjet nga toka dhe ajri për vendosjen nën kontroll të flakëve.

Drejtori i Përgjithshëm i MZSH-së, Arben Cara bën me dije se flakët janë përhapur në një sipërfaqe prej më shumë se 10 hektarësh, ndërsa fatmirësisht është bërë e mundur shmangia e rrezikut për banesat.

"Jemi në një situatë zjarri, ku kemi mbrojtur shtëpitë në pjesën veriore. Zjarri ka perimetër të madh, mbi 10 ha. Kemi angazhuar rreth 50 forca zjarrfikëse, veç Kavajës dhe nga Tirana, Kamza, Lushnja, Durrësi që po vijojnë punën. Fatmirësisht nuk kemi persona apo zjarrfikës të lënduar. Era në disa raste ka favorizuar flakët", informoi Drejtori i Përgjithshëm i MZSH-së, Arben Cara.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla është i pranishëm në terren, për të ndjekur nga afër punën e forcave të angazhuara në operacion, së bashku me Kryetarin e Bashkisë së Kavajës.

/rtsh.al/