RTSH 24 Live

Rajon

Zhulali: Rezoluta e Srebrenicës, kur kriminelët serbë të luftës po kthehen si të glorifikuar

25/05/2024

Zhulali: Rezoluta e Srebrenicës, kur kriminelët serbë të luftës po kthehen si të glorifikuar

Gjenocidi i forcave serbo-boshnjake ndaj popullsisë myslimane në Bosnjë-Hercegovinë u njoh një ditë më parë edhe nga shumica e vendeve të OKB-së.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi me 84 vota pro dhe 19 kundër rezolutën e propozuar nga Gjermania dhe Ruanda, që 11 Korriku të shpallet Ditë Ndërkombëtare Reflektimi dhe Përkujtimi e Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë".

"Ajo që ka ndodhur në Srebrenicë është një njollë e zezë për rajonin tonë, pasi aty është kryer një gjenocid i tmerrshëm selektiv ndaj 8 mijë burrave e djemve për të ndaluar linjën e riprodhimit. Duhet marrë një përgjigje jo thjesht nga Bosnjë-Hercegovina, nga klasa politike apo populli, që ka nevojë për një katarsis aq i domosdoshëm edhe për rajonin tonë," u shpreh Ilda Zhulali, drejtuese e Marrëdhënieve me Jashtë në Partinë Demokratike, për emisionin "3D" në RTSH.

Dy vendet sponsorizuese të rezolute janë prekur vetë më parë nga gjenocidi.

"Gjermania ka përjetuar procesin e holokaustit. Të dyja vendet kanë ngritur gjykata ndërkombëtare për t'i ndjekur, edhe pse vendimet e marra nga këto gjykata nuk qenë të mjaftueshme për të sjellë paqen e brendshme që historia të mos e përsërisë vetveten.

Vlera e kësaj rezolute është pikërisht kjo: jo vetëm të nderojë viktimat, por edhe t'i japë një mësim rajonit që kjo nuk duhet të përsëritet kurrë. Momenti është i rëndësishëm, sepse në rajon, fatkeqësisht, kriminelët e luftës të dënuar si të tillë nga gjykatat, po rikthehen të glorifikuar në Bosnjë-Hercegovinë apo në atë që quhet e po ndërtohet si bota serbe. Kjo është provokuese e luftënxitëse. Risjellja e Srebrenicës në memorien kolektive mendoj se ka rëndësi kapitale," deklaroi znj. Zhulali.

/rtsh.al/