RTSH 24 Live

Kulturë

Zhaklin Lekatari: Po mbledh veten nga gjuha e urrejtjes! Kolegët s’janë solidarizuar, por e kanë nxitur

09/06/2023

Zhaklin Lekatari: Po mbledh veten nga gjuha e urrejtjes! Kolegët s’janë solidarizuar, por e kanë nxitur

Gjuha e dhunës dhe e urrejtjes ishte tema e emisionit “Në radio” që u transmetua ditën e sotme në Radio Tirana 1. “Rrjetet sociale janë hapësira më e lehtë në të cilat zhvillohet kjo lloje gjuhe”, u shpreh gazetarja dhe aktivistja Zhaklin Lekatari, e ftuara e gazetarit Andri Xhahu. “Në momentin që ti nuk kritikon ndodhinë por personin, atëherë kemi të bëjmë me gjuhë urrejtje dhe dhune. Kritika mund të shprehet pa e lënduar, pa e ofenduar tjetrin dhe pa e atashuar me diçka jo të moralshme dhe jo të virtytshme.”

Sipas Lekatarit, nga ana juridike, Shqipëria ka ende shumë për të bërë. “Vendet e Bashkimit Europian po mundohen të krijojnë një kartë të të drejtave virtuale dhe të jenë më të përditësuar për krimet që ndodhin online. Sepse gjuha e urrejtjes është një krim. Nga ana tjetër është Konventa e Budapestit mbi krimet e ndodhura online që është firmosur në Strasburg në vitin 2003. Krimi kibernetik në Shqipëri është një departament ku ka shumë punë për të bërë, po shumë pak njerëz që e bëjnë dhe e zbatojnë atë. Shqipëria nuk është në konventat kryesore. Duke mos pasur marrëveshje të tilla, e ka shumë të vështirë të hetojë.”

Lekatari evidenton edhe mungesën e strukturave për personat e dhunuar dhe mbështetjes veçanërisht nga kolegët. “Nuk kemi struktura për personat e dhunuar. Unë po e mbledh veten dalëngadalë nga gjithë gjuha e dhunës dhe e urrejtjes. Pjesa më e madhe e kolegëve nuk kanë pasur asnjë lloj solidariteti profesional, përkundrazi e kanë nxitur këtë gjuhë me justifikimin e lirisë së fjalës. Por liria e fjalës së dikujt mbaron në momentin që cënon ekzistentën me dinjitet të dikujt tjetër. Nëse ne bëhemi të gjithë bashkë mendoj, që nuk mund ta zhdukim si fenomen, por mund të merren disa masa parandaluese.”

Duke folur se si gjuha e urrejtjes dhe e dhunës cenon lirinë e tjetrit, Lekatari i referohet personalitetit të kulturës dhe letërsisë shqiptare, Faik Konica. “Faik Konica te “Albania” ka pasur një shkrim për shqiptarët ku thoshte se: ‘Ju kërkoni që të jeni të lirë të besoni, që të jeni të lirë të shkruani mbi një fe apo ta promovoni dhe propagandoni fenë. Më dërgoni artikuj që t’i botoj në gazetën time dhe unë pranoj, por në momentin që unë them se fetë janë e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë njerëzimit ju në mënyrë të menjëhershme ktheheni dhe më godisni. Pse unë lejoj lirinë tuaj dhe ju nuk lejoni lirinë time vetëm se unë kam qëndrim të kundërt nga ju?’”

E pyteur nëse ka menduar që të ndryshojë për hir të komenteve, Zhaklina e ka një përgjigje. “Pse të heq dorë unë? Le të heqin dorë ata. Unë kam vetëm një jetë dhe nuk e shoh fare të arsyeshme që minutat e jetës sime t’ia dedikoj të tjerëve dhe të jetoj në funksion të të tjerëve. Është absurde që në moshën 41-vjeçare të dëgjoj se si duhet ta jetoj jetën time.”

Në lidhje me komentetet që kanë lënë më shumë gjurmë, ajo rrëfen: ““Dita jote e vdekjes do të shpallet festa jonë kombëtare”, ka qenë komenti më i shpifur përpos komenteve të seksualizuara që tregojnë se sa të ndytë dhe të virgjër mendërisht, emocionalisht dhe fizikisht janë një pjesë e shoqërisë sonë. Mendoj që gjithë këta njerëz që komentojnë me gjuhë dhune dhe urrejtje në fakt i flasin vetes së tyre. Sepse sa herë që gjykojmë të tjerët, gjykojmë me atë çka kemi brenda. Fakti që ne jemi një shoqëri që i dedikohemi kaq shumë pamjes së jashtme dhe dukjes kjo është për të balancuar varfërinë e brendshme emocionale. Ne jemi në krizë si shoqëri. Dhe mendoj që na duhet një reformim dhe edukim i menjëhershëm emocional, seksual, mbi dashurinë, respektin, tolerancën dhe mirëkuptimin.”

/rtsh.al/