Presidenti i Republikës Bajram Begaj, nis konsultimet për datën e zgjedhjeve parlamentare të 2025. Mbështetur në informacione nga burime zyrtare, bëhet e ditur se kreu i shtetit, nga nesër (e mërkurë) do të nis takimet me partitë politike parlamentare, në funksion të shpalljes së dekretit për datën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
Të mërkurën, Begaj do të presë në zyrën e tij kryetarët e Partisë Republikane (PR), Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ), Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) dhe Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar (LZHK). Ndërsa të enjten, konsultimet do të vijojnë me përfaqësues të Partisë së Lirisë (PL).
Takimet me përfaqësuesit e dy partive më të mëdha, Partisë Socialiste (PS) dhe Partisë Demokratike (PD), do të zhvillohen të hënën, më 2 dhjetor.
Në bazë të nenit 92 pika ‘gj’ të Kushtetutës, është Presidenti i Republikës ai që cakton datën e zgjedhjeve për Kuvendin, për organet e pushtetit vendor dhe për zhvillimin e referendumeve
Në bazë të nenit 8 të Kodit Zgjedhor, zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin apo për njësitë e qeverisjes vendore zhvillohen njëherësh në të gjithë territorin e vendit brenda periudhës që shtrihet nga 15 prilli deri në 15 maj ose nga 15 tetori deri në 15 nëntor.
/rtsh.al/