RTSH 24 Live

Politikë

Debatet për projektbuxhetin, mbështetës të opozitës protestojnë jashtë Parlamentit

4 orë para

Debatet për projektbuxhetin, mbështetës të opozitës protestojnë jashtë Parlamentit

Gjatë diskutimeve në Kuvend për miratimin në parim të projektligji për buxhetin e vitit 2025, mbështetës të opozitës kanë protestuar në ambientet e jashtme të Parlamentit.

Ish- deputeti i PD-së, Luçiano Boçi, deklaroi se protesta e opozitës është një tubim ku janë ftuar pensionistët që të shprehin revoltën dhe zemërimin e tyre për mënyrën se si i ka trajtuar dhe se si po i trajton qeveria.

Gjatë prononcimit për mediat, Boçi tha se pensionistët duan që jeta e tyre të mos jetë një kalvar vuajtjes, siç ka qenë deri tani, dhe se ata duan qetësi, kërkojnë siguri.

“Këtë gjë kjo qeverisje ua ka marrë dhe madje nuk ua jep në masën që e meritojnë dhe për më tepër që u duhet që të përballojnë jetën”, tha Luçiano Boçi.

Ish- deputeti i PD-së u shpreh se një pjesë e pensionistëve mezi presin fundin e tyre që të shpëtojnë nga vështirësitë që kanë në jetë.

“Një pjesë e tyre duket sikur e presin atë fundin me zor, që t’i vijë sepse duan që të heqin dorë nga vuajtje që i shkakton kjo qeverisje. Jam i bindur se këta pensionistë që janë keqpërdorur në këto vite do japin reagimin e tyre në zgjedhje. Ata janë ata që votojnë, jo me tifo zëri politike, por duke parë vështirësitë  jetës në familjet dhe fëmijët e tyre”, u shpreh Boçi.

Pasi protestuan për rreth 2 orë, protesta e opozitës u mbyll pa ndonjë incident. Opozita ka paraqitur në Kuvend 17 amendamente për buxhetin, mes të cilave edhe vendosjen minimumi jetik.

/rtsh.al/