RTSH 24 Live

Zgjedhjet në SHBA

Zgjedhjet në SHBA, Policia e Kapitolit paralajmëron trazira

2 orë para

Zgjedhjet në SHBA, Policia e Kapitolit paralajmëron trazira

Teksa amerikanët kanë votuar sot për presidentin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara, inteligjenca e policisë së Kapitolit i ka paralajmëruar për një kërcënim të shtuar ndaj zyrtarëve qeveritarë.

Raporti thekson mundësinë e dhunës dhe trazirave civile rreth procesit të certifikimit të procesit zgjedhor dhe inaugurimit presidencial që mbahet në janar 2025.

I publikuar në fillim të këtij muaji, raporti thotë se ndërsa ka pasur më pak kërcënime ndaj anëtarëve të Kongresit në 2024 sesa në 2020-n, kërcënimet u rritën ndjeshëm pas ditës së zgjedhjeve katër vjet më parë, një prirje që Policia e Kapitolit parashikon të përsëritet këtë vit.

Raporti shton se retorika e përshkallëzuar në mediat sociale mund të krijojë një mjedis që është i favorshëm për dhunën e motivuar politikisht pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA.

Policia e Kapitolit pret demonstrata që mund të shpërthejnë nëse kundërshtohet procesi i certifikimit zgjedhor.

Sipas saj, një grup aktivistësh "me një histori të demonstratave në shkallë të gjerë që përfshijnë aktivitet të paligjshëm planifikon të protestojë kundër Inaugurimit, pavarësisht nga rezultati".

Ata gjithashtu presin protesta në lidhje me luftën e vazhdueshme në Izrael, duke vënë në dukje se grupet janë "pothuajse të sigurta se do të synojnë Inaugurimin".

Vendimi i tyre për të synuar inaugurimin është pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve. Një grup tashmë ka aplikuar për leje për ditën e inaugurimit brenda perimetrit të sigurisë, por kërkesa do të refuzohet.

Megjithatë, tashmë janë planifikuar protesta për 6 janar, ditën e certifikimit të votave elektorale. Policia e Kapitolit ka raportuar një rritje të postimeve në mediat sociale që pretendojnë se zgjedhjet do të "vidhen".

Ata vunë në dukje se përpjekjet e ndikimit të huaj për të përhapur komplote për të minuar, manipuluar dhe prishur besimin në procesin zgjedhor "mund të përkeqësojnë tensionet ekzistuese politike". Rusia mbetet kërcënimi kryesor i Jashtëm, megjithëse Irani gjithashtu u përpoq të përkeqësonte tensionet për konfliktin në Izrael, sipas vlerësimit të raportit.

Raporti thekson se aktorët e kërcënimit e shohin certifikimin e votave elektorale dhe inaugurimin si “mundësitë e tyre të fundit për të ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve përmes dhunës”. Vlerësimi i inteligjencës së Policisë së Kapitolit paralajmëron se disa kërcënime mbeten të panjohura.

Motivet e disa sulmuesve të fundit nuk janë plotësisht koherente ose mbeten të panjohura, duke theksuar vështirësinë në parashikimin e dhunës së aktorit të vetëm”, thekson raporti.

/rtsh.al/