Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Akri Çipa ka deklaruar se politika amerikane në Ballkan ka pasur një vazhdimësi pavarësisht se kush e ka drejtuar Shtëpinë e Bardhë.
Duke folur për RTSH24, Çipa tha se qasja e politikës amerikane në Ballkan nuk do të ndryshojë pavarësisht se kush do ta drejtojë Shtëpinë e Bardhë, qoftë Kamala Harris, qoftë Donald Trump.
Sipas Çipës, Harris dhe Trump ndahen mes tyre vetëm për luftën në Ukrainë, gjë e cila sipas tij mund të ndikonte indirekt në qasjen ndaj Shqipërisë dhe Kosovës.
“Kemi parë një vazhdimësi të qartë të politikës amerikane në Ballkan pavarësisht presidencës apo administratës specifike.
Kemi pasur një administratë për Trumpin, kemi një administratë aktuale Biden, ku zonja Harris është përfaqësuese dhe kemi parë ndryshime fare të vogla në qasjen që kanë pasur Shtetet e Bashkuara duke prioritizuar çështjet e sigurisë por edhe çështjet e rritjes së bashkëpunimit ekonomik duke eliminuar influencat malinje të vendeve të treta si Rusia por edhe duke dashur të kufizojnë ato lloj investimesh që mund të bëjnë në rajon fuqi të tjera si Kina. Nuk kemi parë variabla të mëdha në raport me qasjen amerikane ndaj rajonit.
Në këtë sens edhe nëse do të zgjidhej Trump apo Harris do të kishte pak ndryshim. Ajo që do të ishte më e theksuar do të ishte me Bashkimin Evropian, me luftën në Ukrainë, aty ndahen pikëpamjet e kandidatëve dhe qasja e tyre ndaj kësaj çështjeje do të kishte një lloj ndikimi të tërthortë duke përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën”, u shpreh Çipa.
/rtsh.al/