RTSH 24 Live

Politikë

Zgjedhjet në Himarë- KQZ përcakton afatet e regjistrimit të kandidatëve

17/07/2024

Zgjedhjet në Himarë- KQZ përcakton afatet e regjistrimit të kandidatëve

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve pritet të miratojë afatet proceduriale që lidhen me zgjedhjet e pjesshme për kryetar në Bashkinë Himarë, që do të zhvillohen me 4 gusht 2024.

Në projekt vendim thuhet se me propozimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Komisioni Rregullator vendosi që Bashkia Himarë dhe institucionet e saj të varësisë, janë të detyruara të raportojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, të gjitha veprimtaritë me karakter publik që planifikojnë të zhvillojnë në periudhën 26.7.2024 deri më datë 4.8.2024.

Të njëjtin detyrim kanë edhe institucionet publike qendrore, organet e tyre të varësisë dhe degët e tyre vendore, si dhe agjencitë dhe/ose ndërmarrjet shtetërore, për veprimtari me karakter publik, që planifikojnë të zhvillojnë në periudhën 26.7.2024 deri më datë 4.8.2024, në territorin e Bashkisë Himarë.

“Autoriteti i Mediave Audiovizive monitoron OSHMA-të për veprimtaritë me karakter publik të institucioneve publike të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, nga data 26.7.2024, nga ora 08:00-00:00, ose sipas rastit, deri në përfundimin e programit. Kryetari i Bashkisë në detyrë paraqet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, listën e plotë të objekteve të qendrave të votimit që përmbushin kushtet e parashikuara në ligj, jo më vonë se data 19.7.2024. Kryetari i Bashkisë në detyrë të përcaktojë vendet publike, në territorin e Bashkisë Himarë, për afishimin nga subjektet zgjedhore të materialeve propagandistike, jo më vonë se data 25.7.2024.”, thuhet në projekt vendim.

Regjistrimi i kandidatëve dhe i koalicioneve zgjedhore

Partitë politike, të cilat kanë të drejtë të paraqesin anëtarë në KQV, duhet t’i depozitojnë ato në KZAZ-në nr. 88, jo më vonë se data 19.7.2024. KZAZ-ja merr vendim për emërimin e anëtarëve të KQV-ve, jo më vonë se data 20.7.2024.

Partitë politike, të cilat kanë të drejtë të paraqesin anëtarë në GNV, duhet t’i depozitojnë ato në KZAZ, jo më vonë së data 24.7.2024. KZAZ-ja merr vendim për emërimin e anëtarëve të GNV-ve, jo më vonë se 25.7.2024.

“Partitë politike duhet të paraqesin kërkesën në KQZ, për regjistrim si subjekte zgjedhore, për zgjedhjet e pjesshme për kryetar në Bashkinë Himarë, jo më vonë se ora 16.00 e datës 22.7.2024. KQZ-ja kthen për plotësim dokumentacionin brenda 8 (tetë) orëve nga dorëzimi. Partitë politike paraqesin dokumentacionin e korrigjuar brenda orës 12.00 të datës 23.7.2024. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miraton kërkesat për regjistrim brenda 3 (tre) orëve nga ridërgimi i dokumentacionit të korrigjuar. Komitetet Nismëtare duhet të paraqesin kërkesën për regjistrim për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar në Bashkinë Himarë, në KZAZ, jo më vonë se ora 16.00 e datës 22.7.2024. KZAZ-ja kthen për plotësim dokumentacionin brenda 8 (tetë) orëve nga dorëzimi. Komitetet Nismëtare paraqesin dokumentacionin e korrigjuar brenda orës 12.00 të datës 23.7.2024. KZAZ-ja miraton kërkesat për regjistrim brenda 3 (tre) orëve nga ridërgimi i dokumentacionit të korrigjuar.”, thuhet në projektvendim.

Ndërsa koalicionet zgjedhore duhet të paraqesin në KQZ kërkesën për regjistrimin si koalicion për zgjedhjet e pjesshme për kryetar në Bashkinë Himarë jo më vonë se ora 12:00 e datës 24.7.2024. KQZ-ja kthen për plotësim dokumentacionin brenda 2 (dy) orëve nga dorëzimi.

Partitë politike paraqesin dokumentacionin e korrigjuar brenda orës 18.00 të datës 24.7.2024. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miraton kërkesat për regjistrim brenda 3 (tre) orëve nga ridërgimi i dokumentacionit.

“Dokumentet e kandidimit paraqiten në KZAZ jo më vonë se ora 16.00 e datës 25.7.2024. KZAZ-ja bën verifikimin e tyre, jo më vonë se 4 (katër) orë nga paraqitja, dhe në rast se vëren parregullsi, i kthen për plotësim. Dokumentet e plotësuara duhet të ri paraqiten jo më vonë se ora 12.00 e datës 26.7.2024. KZAZ-ja merr vendim jo më vonë se 4 (katër) orë nga ri paraqitja e tyre.”, theksohet në projekt vendim.

Fushata zgjedhore

Fushata zgjedhore për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar në Bashkinë Himarë, fillon më datë 27.7.2024. Paraqitja e kërkesës për akreditimin e vëzhguesve shqiptarë dhe për vëzhguesit e huaj bëhet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve jo më vonë se data 1.8.2024.

Paraqitja e kërkesave për akreditim nga ana e subjekteve zgjedhore pjesëmarrëse në zgjedhje bëhet në KZAZ jo më vonë se data 1.8.2024.

/rtsh.al/