RTSH 24 Live

Politikë

Përfundon Konferenca e Ambasadorëve, në fokus avancimi i procesit të integrimit evropian

28/08/2024

Përfundon Konferenca e Ambasadorëve, në fokus avancimi i procesit të integrimit evropian

Ka përfunduar të mërkurën Konferenca e Ambasadorëve “Diplo 2024”, organizuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme. Në 3 ditët e konferencës, u nënvizua rëndësia e integrimit të aftësive dhe përvojave të ndryshme në shërbimin tonë diplomatik.

Në fokus të diskutimeve ishin edhe dhënia e ideve dhe ndarja e mendimeve për prioritetet e MEPJ: avancimi i procesit të integrimit evropian, forcimi i diplomacisë ekonomike dhe rolit të Diasporës, modernizimi i shërbimeve konsullore etj.

“Diskutimet nxorën në pah nevojën për përmirësimin e bashkëpunimit me ministritë e linjës, për të çuar përpara agjendën e reformave, sikundër edhe përgatitjet për Samitin e NATO-s dhe Samitin e Komunitetit Politik Evropian. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani bëri me dije se Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme do t'i nënshtrohet reformave strukturore për të rritur efikasitetin dhe për të forcuar marrëdhëniet ndërmjet Ministrisë dhe përfaqësive të saj.”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Struktura e re synon të nxisë energjinë dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm mes të gjitha hallkave të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Shqipërisë.

Një prej risive, është edhe krijimi i Drejtorisë së Bashkëpunimit me Faktorin Shqiptar, në fokus të të së cilës do të jenë qytetarët shqiptarë, kudo që ata jetojnë.

“Ligji i ri për shërbimin e jashtëm, i cili prej javësh është në konsultim publik, jo vetëm do të mbështesë natyrën dinamike dhe në zhvillim të aktivitetit diplomatik, por edhe do të njohë kontributet e shqiptarëve që punojnë në organizatat ndërkombëtare dhe do të hapë dyert për përfshirjen e tyre në shërbimin e jashtëm.  Konferenca e Ambasadorëve shërbeu si një moment vendimtar për reflektim, vlerësim dhe planifikim për të ardhmen. Ai përforcoi nevojën për përmirësim të vazhdueshëm, integrim të aftësive të ndryshme dhe reforma strukturore për të rritur efektivitetin e shërbimit diplomatik shqiptar.”, njofton MEPJ.

/rtsh.al/