RTSH 24 Live

Politikë

Deklarata e SHBA për mandatin e Xhaçkës, Spiropali: Do veprojmë sipas opinionit të “Venecias”

13/09/2024

Deklarata e SHBA për mandatin e Xhaçkës, Spiropali: Do veprojmë sipas opinionit të “Venecias”

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali i është përgjigjur reagimit të ambasadës amerikane lidhur me votimin e Parlamentit për mandatin e Olta Xhaçkës, ku theksoi se qeveria dhe institucionet duhet të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në një postim në X, Spiropali shkruan se zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është çështje thelbësore për Parlamentin, por shton se votimi i djeshëm në Kuvend tregon se, sipas saj, vendimi lidhur me mandatin e Xhaçkës ka nevojë për sqarim.

Kryeparlamentarja thekson Kuvendi do të veprojë sipas opinionit të Komisionit të Venecias menjëherë sapo ta marrin atë.

Ndaj plotësisht bindjen se zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Parlamenti është një çështje thelbësore, pasi lidhet me kontrollet dhe balancat institucionale në sistemin demokratik të vendit. Prandaj edhe e theksova gjatë hapjes së sesionit parlamentar javën e kaluar, si prioritet nevojën që Kuvendi të ndjekë vendimet e mbetura të Gjykatës Kushtetuese. Votimi i djeshëm demonstroi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të një viti e gjysmë më parë dhe së fundmi ai i Korrikut 2024, ka nevojë për sqarimin që kërkohet prej po kaq kohësh. Pikërisht me qëllim marrjen e këtij sqarimi dhe dhënien fund të paqartësisë që e ka shoqëruar Kuvendin, për mënyrën e zbatimit të vendimit, i jam drejtuar menjëherë sot Komisionit të Venecias si një instancë me prestigj e kompetencë të padiskutueshme. Sapo të marrim nga Komisioni i Venecias opinionin përkatës, do të veprojmë sipas atij opinioni pa humbur asnjë ditë më shumë”, shkruan Spiropali.

Ambasada amerikane u shpreh e shqetësuar lidhur me votimin e djeshëm në Parlament për të mos çuar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka.