RTSH 24 Live

Politikë

Mandati i Xhaçkës nuk shkoi në Kushtetuese, SHBA: Qeveria e institucionet të respektojnë vendimet e Gjykatave

13/09/2024

Mandati i Xhaçkës nuk shkoi në Kushtetuese, SHBA: Qeveria e institucionet të respektojnë vendimet e Gjykatave

Ambasada e SHBA ka reaguar lidhur me vendimin e Parlamentit për të mos çuuar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese mandatin e deputetes socialiste, Olta Xhaçka. Në një postim në Facebook, ambasada e SHBA e konsideron vendimin e Parlamentit si një shpërfillje për vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Sipas Ambasadës amerikane, qeveria dhe institucionet në vend duhet të respektojnë vendimet e gjykatave dhe kushtetutën.

Ambasada e SHBA ndan shqetësimin e Delegacionit të Bashkimit Europian lidhur me vendimin e Parlamentit të Shqipërisë për të shpërfillur një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Siç vërejti kohët e fundit Kryetarja e Parlamentit, marrja e hapave të nevojshme për vendimet e Gjykatës Kushtetuese është përgjegjësi qendrore e Parlamentit dhe është gjithashtu jetike për ndarjen e pushteteve. Qeveria dhe institucionet duhet të respektojnë rregullat, ligjet, vendimet e gjykatave dhe kushtetutën – të gjitha të cilat janë aty për të siguruar që sistemi demokratik është i shëndetshëm dhe lulëzon”, shkruhet në postim.

Pas një seance maratonë të enjten (12 shtator), Kuvendi nuk i hapi rrugë kërkesës së opozitareve për interpretimin e  papajtueshmërisë së mandatit të Xhaçkës. 25 vota pro, 9 kundër dhe 65 abstenim mori projektvendimi “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të 1/10 së deputetëve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka”.

Ndërkohë Parlamenti i është drejtuar Komisionit të Venecias për një opinion më të specializuar lidhur me këtë çështje.

Çfarë vendosi Kushtetuesja

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, ka kërkuar më herët që Kuvendi i Shqipërisë të dërgonte në Kushtetuese mocionin e deputetëve për mandatin e deputetes, Olta Xhaçka.

Gjykata ka theksuar se vendimi i saj që ka vendosur detyrimin e Kuvendit për të dërguar në Gjykatë mocionin e 1/10 së deputetëve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, dhe më pas do të jetë ky institucion që do të shqyrtojë nëse duhet t’i hiqet apo jo mandati.

Në përfundim Gjykata Kushtetuese, pasi shqyrtoi çështjen në seancë publike me pjesëmarrjen e palëve, konstatoi se vendimi i saj i datës 23/ 01/ 2023 nuk është ekzekutuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.

Sipas GJK, është vlerësuar se Kuvendi i Shqipërisë ka vënë në diskutim fuqinë detyruese të vendimit të saj, duke mos zbatuar nenin, i cili parashikon se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim.

Gjykata ritheksoi se vendimet e saj kanë efektet e forcës së ligjit dhe se asnjë organ nuk ka të drejtë t’i vërë ato në diskutim dhe aq më tepër të mos pranojë t’i zbatojë.

/rtsh.al/