RTSH 24 Live

Aktualitet

VanHorn pritet nga Altin Dumani: SPAK ka mbështetjen e plotë të SHBA

28/08/2024

VanHorn pritet nga Altin Dumani: SPAK ka mbështetjen e plotë të SHBA

Kreu i Strukturës së Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit, Altin Dumani si dhe drejtuesi i Seksioni Kundër Korrupsionit në SPAK, Klodjan Braho kanë pritur në një takim ditën e sotme të Ngarkuarën me Punë të SHBA-ve në Shqipëri, Nancy VanHorn.

Gjatë takimi VanHorn shprehu vlerësimin e saj për SPAK-un në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë shkruan se VanHorn theksoi se SPAK dhe institucionet e pavarura të Shqipërisë kanë mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara në misionin e tyre për popullin shqiptar, duke shtruar rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn u takua sot me Drejtuesin e SPAK-ut Altin Dumani dhe Drejtuesin e Seksionit Kundër Korrupsionit në SPAK, Klodjan Braho, të cilët janë të përkushtuar në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë në Shqipëri.

Znj. VanHorn shprehu admirimin e Shteteve të Bashkuara për përpjekjet e palodhura të SPAK-ut dhe i nxiti ata të vazhdojnë punën e tyre të guximshme dhe të udhëhequr nga integriteti.

Ajo theksoi se SPAK dhe institucionet e pavarura të Shqipërisë kanë mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara në misionin e tyre për popullin shqiptar, duke shtruar rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane.

/rtsh.al/