RTSH 24 Live

Aktualitet

Fier, vrau 2 vëllezërit pas sherrit të fëmijëve-Burg pa afat për babanë dhe dy djemtë e tij

13/09/2024

Fier, vrau 2 vëllezërit pas sherrit të fëmijëve-Burg pa afat për babanë dhe dy djemtë e tij

Gjykata e Fierit ka caktuar masën e sigurisë “burg pa afat” për Altin Kukën, dy djemtë e tij Emaurisio dhe Ervis si dhe Tomorr Zyken i cili strehoi të rinjtë pas vrasjes së Vladimir dhe Gramoz Kurtajt.

Akuza e prokurorisë për babanë dhe dy djemtë është vrasje në bashkëpunim dhe vrasje në rrethana cilësuese ndërsa për Tomorr Zykën përkrahje e autorit të krimit.

Në një seancë maratonë, gjyqtarja, Gladiola Bregu shqyrtoi dosjen e prokurorisë, detaje të së cilës janë konsideruar sekret hetimor.

Të katër personat e akuzuar nga prokuroria kane qëndruar të heshtur në gjykatë duke lënë në fuqi deklaratën e parë të Altin Kukës që tha se i vrau dy vëllezërit për shkak të sherrit mes djemve të tij dhe të viktimave.

Me herët në polici Altin Kuka dhe djemtë deklaruan se sherri kishte nisur fillimisht mes djemve të viktimave dhe një punonjësi në pularinë e familjes Kuka.

Më pas Gramoz dhe Vladimir Kuka kanë takuar babanë 79-vjeçar të Altin Kukës për t’u sqaruar. Por nga ky takim situata është përkeqësuar deri sa Altin Kuka mori kallashnikovin dhe e zbrazi në drejtim të dy vëllezërve.

Katër ditë pas ngjarjes ende nuk ka një motiv të qartë për vrasjen e dyfishtë në Kurjan. Altin Kuka u vetëdeklarua fajtor pasi u vetëdorëzua në polici duke rrëfyer edhe shkakun e krimit qe kreu.

Por familjet Kuka dhe Kurtaj kishin miqësi të vjetër dhe mbetet e pakuptimtë pse Altin Kuka arriti deri aty sa të vrasë me gjakftohtësi bashkëfshatarët dhe miqtë e tij.

Detajet e dosjes së prokurorisë janë klasifikuar sekret hetimor duke lënë të hapur pistat per zbardhjen e motiveve të ngjarjes. Për ngjarjen e rëndë është proceduar penalisht edhe babai i Altin Kukës i cili akuzohet për armëmbajtje pa leje.

/rtsh.al/