RTSH 24 Live

Aktualitet

Kërcënoi me pistoletë në gojë bashkëshortin e gjyqtares në çështjen Shullazi, arrestohet në Gjermani, Fabio Ballabani

28/08/2024

Kërcënoi me pistoletë në gojë bashkëshortin e gjyqtares në çështjen Shullazi, arrestohet në Gjermani, Fabio Ballabani

Ka marrë fund arratia e Fabio Ballabanit, alias Fabio Zyberaj, i cili 5 vite më parë duke i vënë pistoletën në gojë kërcënoi bashkëshortin e gjyqtares, që ishte pjesë e trupës në gjyqin ndaj Emiljano Shullazit dhe bandës së tij.

Lajmi është bërë i ditur nga Policia e Shtetit e cila bëri të ditur se Fabio Ballabani, i lindur në Vlorë, është arrestuar nga policia gjermane, ndërkohë që kanë nisur edhe procedurat për ekstradimin e tij.

“F. B (Fabio Ballabani) ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg,” për veprat penale “Goditjet ndaj pjesëtarëve të familjes së personit që kryen një detyrë shtetërore,” e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i Strukturuar Kriminal,” dhe “Kryerja e veprave penale nga Grupi i strukturuar kriminal dhe Organizata kriminale.”, njofton Policia e Shtetit.

Akuzat dhe përmbledhja e fakteve nga policia

Fabio Ballabani akuzohet se në vitin 2019, ka shtrirë në tokë një shtetas duke i vënë pistoletën në gojë dhe e ka kërcënuar për ta vrarë për shkak të detyrës së bashkëshortes së tij.

Bëhet fjalë për kërcënimin ndaj shtetasit Kristaq Priftit, bashkëshortit të gjyqtares, Saida Dollani. Ai denoncoi se u kërcënua me pistoletë pasi gruaja e tij ishte pjesë e trupës gjyqësore në gjyqin ndaj Emiljano Shullazit dhe bandës së tij.

Pavarësisht insistimit të saj për të çuar deri në fund procesin gjyqësor ndaj Emiljano Shullazit, një nga kolegët në Apelin e Krimeve të Rënda, i cili tashmë është përjashtuar nga sistemi i drejtësisë nga vettingu, vendosi largimin e Saida Dollanit nga trupa gjykuese dhe rrjedhimisht nga çështja.

“F. B dyshohet se në vitin 2019, ka kërcënuar me armë zjarri pistoletë bashkëshortin e një gjyqtareje e cila ishte pjesë e trupit gjykues në një gjyq që zhvillohej kundër një grupi të krimit të organizuar. Nga hetimet e kryera dhe këqyrja e kamerave të sigurisë, është identifikuar si autor i këtij sulmi shtetasi F. B., alias F. Z.”, njofton policia.

Prangoset dhe Erland Krasniqi 

Po në Gjermani është arrestuar edhe Erland Krasniqi, pasi akuzohet se pas një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri shtetasin Renato Bajraktari, ngjarje e ndodhur në maj 2024, në Durrës, tek “Rrethrrotullimi i Plepave”.

“Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, në maj 2024, ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest me burg,” për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit.”, njofton policia.

Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Visbaden në Gjermani për ekstradimin e dy shtetasve drejt vendit tonë.

/rtsh.al/