Presidenti Volodymyr Zelensky deklaroi se Ukraina kurrë nuk do të njohë ligjërisht territoret e pushtuara nga Rusia, pavarësisht presionit nga aleatët.
Gjatë një takimi me anëtarët e Këshillit Ndërkombëtar të Medias në Forumin Ekonomik Botëror në Davos më 21 janar, Zelensky theksoi se kjo është e pamundur.
“Edhe nëse të gjithë aleatët e botës bashkohen, ne nuk i njohim ligjërisht territoret e pushtuara. Është e pamundur. Derisa të kthehemi atje, ata do të jenë gjithmonë të pushtuara nga Rusia dhe nuk mund të jetë ndryshe. Prioriteti i Ukrainës është t'i japë fund fazës së nxehtë të luftës, por kjo mund të arrihet vetëm me garanci të forta sigurie”, është shprehur Zelensky.
Më 20 janar, vetëm disa orë para inaugurimit të Donald Trump si president i SHBA-së, Vladimir Putin zhvilloi një takim me anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Rusisë, duke pretenduar gatishmërinë për t'u përfshirë në një “dialog të drejtë dhe reciprokisht të respektueshëm” me administratën e re amerikane.
Megjithatë, sipas analizës së Institutit për Studimin e Luftës (ISË), asnjë negociatë nuk do të çonte në paqe kuptimplotë ose të qëndrueshme për sa kohë që ‘Putini mbetet i përkushtuar ndaj kërkesave të tij të paraluftës’ për kapitullimin e plotë të Ukrainës dhe dobësimin e NATO-s.
/rtsh.al/