Presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi Rusinë me sanksione dhe tha se lufta në Ukrainë nuk duhet të kishte nisur kurrë. Ai paralajmëroi se do të vendosë tarifa tregtare ndaj Bashkimit Evropian dhe Kinës nga 1 shkurti. “Bashkimi Evropian është shumë i keq me ne. Do të ketë tarifa, kjo është e vetmja mënyrë, do të ketë barazi”, tha ai.
Trump u shpreh se administrata e tij po shqyrton një tarifë prej 10 për qind ndaj importeve kineze, sepse fentanili po dërgohet nga ai vend në SHBA përmes Meksikës dhe Kanadasë. Siç premtoi gjatë fushatës, Trump tha se po shqyrton vendosjen e tarifave ndaj këtyre të fundit, por shtoi se kjo gjë mund të ndryshojë vetëm nëse ato vende ndalojnë trafikimin e emigrantëve të paligjshëm dhe fentanilit drejt SHBA.
Duke reaguar ndaj deklaratave të tij, Kina tha se ishte e gatshme të diskutonte me Shtetet e Bashkuara dallimet mes tyre. “Ne gjithmonë kemi besuar se nuk ka fitues në një luftë tregtare apo një luftë tarifore. Do të mbrojmë me vendosmëri interesat tona kombëtare”, tha Pekini. Meksika dhe Kanadaja reaguan me tone më të buta ndaj paralajmërimit të Trumpit. Presidentja meksikane theksoi se do t'u përgjigjej veprimeve të Shteteve të Bashkuara hap pas hapi.
Presidenti Donald Trump, i rrethuar nga gjigantët e teknologjisë, njoftoi edhe një investim madhor amerikan për të ndërtuar infrastrukturën për inteligjencën artificiale, një bashkëpunim mes gjigantit japonez Softbank, Oracle dhe OpenAI. Sipërmarrja e quajtur Stargate synon të investojë 500 miliardë dollarë gjatë katër viteve të ardhshme dhe sipas presidentit amerikan pritet të krijojë më shumë se 100 mijë vende pune.
/rtsh.al/