RTSH 24 Live

Politikë

Zbulohen detaje nga Asambleja e PS-së. Fokusi i diskutimeve, riorganizimi i partisë

11/02/2024

Zbulohen detaje nga Asambleja e PS-së. Fokusi i diskutimeve, riorganizimi i partisë

Asambleja Kombëtare e PS-së mbylli punimet në orën 16:00, pas 5 orësh diskutime me dyer të mbyllura, për t'i lënë vend asamblesë së radhës më 16 mars në Durrës.

Gazetarja e RTSH-së, Denada Shkodrani, ka bërë me dije detaje lidhur me atë se çfarë u fol mes socialistëve.

Sekretari i Përgjithshëm, Blendi Klosi, mbajti fjalën paraprake, ndërsa raportuan sipas radhës edhe drejtuesit politikë të qarqeve, si dhe përfaqësues të tjerë të PS-së.

Shkodrani thekson se socialistët zhvilluan një analizë të thelluar, teksa fokusi kryesor ishte riorganizimi i partisë, përqendruar kryesisht në ato zona ku ka pasur problematika, referuar zgjedhjeve të fundit lokale.

Kongresi pritet të sjellë një shkundje të partisë në çdo qelizë, por deri atëherë nuk kanë munguar kritikat edhe ndaj personazheve apo fenomeneve brenda partisë.

Kështu edhe pse është munduar që të shmangë kontaktet me mediat dhe të hyjë nga parkimi në sallë nuk kanë munguar kritikat ndaj deputetes Olta Xhaçka për mungesën e angazhimit në rrjetet sociale fill pas largimit nga detyra e ministres.

Po ashtu edhe për humbjen e bashkisë së Kavajës, kryesocialisti ka kërkuar më shumë punë për ta rikthyer bastionin e demokratëve sërish në duart e socialistëve.

Një analize e mirëfilltë i është bërë çdo qarku dhe Rama u ka kërkuar vëmendje dhe përqëndrim anëtarëve të asamblesë dhe shmangien e daljeve jashtë sallës.

Në fjalën e tij, Klosi ka kërkuar një angazhim më të madh nga drejtuesit politik të PS-së në qarqe dhe një analizë të detajuar të problematikave.

Ndërkohë, kryesocialisti Edi Rama nuk e ka mbajtur ende fjalën e tij.

Në një prononcim të shkurtër për mediat para nisjes së Asamblesë, Rama tha se bëhet fjalë për një takim pune të socialistëve, teksa theksoi se nuk do të ketë ndryshime në qeveri.

/rtsh.al/