RTSH 24 Live

Aktualitet

Zbulime arkeologjike në Durrës, përfundojnë gërmimet në forumin bizantin

28/06/2022

Zbulime arkeologjike në Durrës, përfundojnë gërmimet në forumin bizantin

Ekspedita e përbashkët arkeologjike shqiptare-franceze i ka dhënë fund gërmimeve pranë forumit bizantin, duke bërë të ditur gjetje interesante.

Paralelisht, kjo ekspeditë ka kryer gërmime edhe pranë kishës katolike Shën Luçia, në të cilën kanë dalë në dritë mure të antikitetit të vonë me disa faza ndërtimore.

Në lidhje me gërmimet e kryera tek forumi bizantin, bashkë drejtuesja franceze e projektit Catherine Reynal tha se: “Kemi arritur të kapim nivelet e periudhës romake, konkretisht 2 nivele banesash, njëra e shekullit të III pas krishtit, tjetra e shekullit të II pas krishtit, të dyja të shkatërruara si pasojë e djegieve masive. Është veçanërisht banesa e shekullit të II- të shumë e pasur, pasi zjarri ka shkatërruar gjithçka pa i dhënë mundësi njerëzve të marrin objektet e jetës së përditshme dhe ka shumë gjetje të tipeve nga më të ndryshmet”.

Në forumin bizantin është gjetur edhe një statujë e vogël prej bronxi, e cila mendohet se është e perëndeshës së Artemisë, hyjni e njohur për Durrësin antik.

Arkeologia Brikena Shkodra duke folur për periudhën mesjetare, tha se këto gërmime na japin mundësinë të shohim transformimin e forumit bizantin që nga ndërtimi i tij në shekullin e V deri në shekullin e VII.

Forumi është pjesë e një kompleksi të gjerë ndërtimesh i zbukuruar me kolona mermeri dhe me dysheme të veshur me pllaka.

Për shkak të vlerave kulturore që përmban Forumi i Bizantin ka hyrë pothuajse në të gjitha guidat turistike të vendit tonë.

/rtsh/