RTSH 24 Live

Aktualitet

Zahiretë e dimrit, amvisat në Devoll i përgatisin sipas traditës së vjetër

4 orë para

Zahiretë e dimrit, amvisat në Devoll i përgatisin sipas traditës së vjetër

Zhvillimi i teknologjisë dhe mekanizimi i mjaft proceseve e ka lehtësuar disi punën e njerëzve, megjithatë tradita e përgatitjes së zahireve, një trashëgimi e brezave, mbetet e gjallë edhe sot në fshatin Ziçisht të Devollit.

Nga turshitë, reçelrat, petkat, dromkat, pijet, kompostot, pastërmatë etj. përgatitja e zahireve është më shumë se një zakon - është një kujtesë e lidhjes me tokën, natyrën dhe të kaluarën.

"Zahiretë e dimrit ne i bëjmë vit për vit. Bëjmë trahananë, petkat, nardenin, salcën, domate turshi, piperkën turshi, piperkën me lakër. Zahiretë e dimrit janë të përvitshme dhe i prodhojmë vetë, pra janë bio. Nardenin e kemi nga kumbulla, pa sheqer, dhe përdoret më shumë për diabet," thotë Kostandina Kote, banore e Ziçishtit.

Stina e dimrit gjithmonë ka qenë një sfidë, veçanërisht për njerëzit në zonat rurale, ku përgatitjet për muajt e ftohtë fillojnë që në verë.

Më tej Kote na tregon se përgatit vete edhe suxhukun, si një traditë e trashëguar nga vjehrra.

"Kollofacet përgatiten me mishin e derrit. Ziejmë kokat e derrit, mishin e grijmë, marrim presh dhe e ziejmë dhe i përziejmë. I shtojmë erëza dhe i mbushim me zorrët e derrit," tregon znj. Kote.

Ashtu sikurse Kostandina, amvisat devollesha sigurohen që familjeve të tyre të mos u mungojnë ushqimet e shëndetshme.

Gazetare: Geralda Sali

/rtsh.al/