RTSH 24 Live

Botë

Xi dhe Putin përforcojnë lidhjet mes Kinës dhe Rusisë pas betimit të Donald Trump

5 orë para

Xi dhe Putin përforcojnë lidhjet mes Kinës dhe Rusisë pas betimit të Donald Trump

Presidentët e Kinës dhe Rusisë, Xi Jinping dhe Vladimir Putin, zhvilluan një video-telefonatë disa orë pas betimit të Donald Trump si president i SHBA-së. Gjatë bisedës, ata u angazhuan të çojnë marrëdhëniet dypalëshe në "nivelet më të larta", duke theksuar rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Putin e quajti Xi një "mik të dashur" dhe vuri në dukje se lidhjet mes Rusisë dhe Kinës po zhvillohen mbi bazën e miqësisë, besimit të ndërsjellë dhe mbështetjes, pavarësisht presionit të jashtëm. Nga ana tjetër, Xi e inkurajoi Putinin të vazhdojë të “thellojë koordinimin strategjik dhe të mbrojë interesat legjitime të dy vendeve”.

Kjo telefonatë u zhvillua në një moment të ndjeshëm, pasi Trump kishte paralajmëruar masa të ashpra ndaj Kinës, përfshirë vendosjen e një tarife 10% për importet e mallrave të prodhuara nga Kina që do të hyjë në fuqi më 1 shkurt. Gjithashtu, Trump kërcënoi Moskën me pasojat e "telasheve të mëdha" nëse nuk arrin një marrëveshje për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Xi dhe Putin konfirmuan gjithashtu gatishmërinë për të zhvilluar marrëdhënie me SHBA-në mbi baza të drejta dhe reciproke, nëse administrata Trump do të shfaqë interes. Telefonata, e cila zgjati rreth një orë e gjysmë, përfshiu gjithashtu diskutime për çështje të tjera ndërkombëtare, si situata në Lindjen e Mesme, Koreja e Jugut dhe Tajvani.

/rtsh.al/