RTSH 24 Live

Serbi

Vuçiç shpreh shqetësimin Lajçak-ut për aksionin në Veri: Kërkova reagim konkret

01/09/2024

Vuçiç shpreh shqetësimin Lajçak-ut për aksionin në Veri: Kërkova reagim konkret

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka bërë të ditur se gjatë takimit të Pragë, është takuar me të Dërguarin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Në një postim në rrjetin instagram, Vuçiç, teksa ka publikuar pamje nga takimi, shkruan se  ka biseduar për aksionin e Policisë së Kosovës në Veri të premten, ku u mbyllën pesë objekte të komunave paralele serbe në Veri.

Vuçiç, shkruan se me Lajçak, pati një bisedë të “hapur” dhe të “sinqertë”.

“I përcolla shqetësimin tim të skajshëm për dhunën e fundit në Kosovë, shkeljen e përsëritur të të drejtave dhe rrezikimin e sigurisë së popullatës serbe nga lëvizjet arrogante dhe ilegale të Prishtinës”, shkroi Vuçiç.

Nga diplomati sllovak, kreu i Serbisë tha se ka kërkuar një reagim konkret dhe të qartë nga BE-ja dhe shtetet anëtare – “jo vetëm në dënimin e lëvizjeve të tilla, por edhe në parandalimin e tyre dhe mbrojtjen e serbëve”.

“Serbia mbetet një partner i përgjegjshëm i BE-së në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Prishtinën, por do të përdorë të gjitha mjetet diplomatike në dispozicion për të parandaluar terrorin kundër popullit të saj”, propagandoi presidenti serb.

Ndryshe, aksioni i Policisë së Kosovës në Veri të vendit – të banuar me shumicë serbe – të premten, për mbylljen e objekteve të komunave paralele serbe, u kritikua ashpër nga vendet perëndimore, posaçërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

/rtsh.al/