RTSH 24 Live

Rajon

Vuçiç: Escobar të lexojë ç'shkruhet në Marrëveshjen e Brukselit, s'ka ZSO nëse serbët nuk kthehen në institucione

24/05/2023

Vuçiç: Escobar të lexojë ç'shkruhet në Marrëveshjen e Brukselit, s'ka ZSO nëse serbët nuk kthehen në institucione

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka reaguar ndaj deklaratës së të dërguarit të posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar se SHBA-të janë në pritje të propozimit të Prishtinës për ZSO-në, duke i thënë që të lexojë se çfarë shkruhet në Marrëveshjen e Brukselit.

 "Të lexoni se çfarë është shkruar në Marrëveshjen e Brukselit dhe anekset e saj, në parim. Autoritetet e Prishtinës nuk kanë asnjë autoritet apo kompetencë", tha Vuçiç, raporton Tanjug.

Teksa bëri me dije se mëngjesin e së martës (23 maj)  një flamur i ri u vendos në ndërtesën e komunës në pjesën veriore të Mitrovicës së Kosovës, dhe se të enjten është paralajmëruar betimi i kryetarëve shqiptarë në veri të Kosovës, Vuçiç paralajmëroi Prishtinën se nuk do të ketë ZSO derisa serbët të kthehen në institucione.

Duke iu referuar deklaratave të Josep Borrel që veçon Serbinë si vendin e mospërputhjes me BE ndaj aksioneve Ruse, Vuçiç sqaroi edhe njëherë se vendi i tij e bën politikën në mënyrë të pavarur dhe kjo nuk do të ndryshojë.

"Borelj ka të drejtë. Serbia është e vetmja që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë", tha Vuçiç dhe theksoi se Serbia është e vetmja që e bën politikën e saj në mënyrë të pavarur. “Përderisa mund të bëjmë një politikë të pavarur, do ta bëjmë, kur nuk mundemi do t'i informoj qytetarët për këtë, por ne kemi arritur të mbajmë qëndrimet tona që kemi formuluar për një vit e tre muaj tani”, tha Vuçiç.

/rtsh.al/