RTSH 24 Live

Aktualitet

Vritet me armë zjarri një 55-vjeçar në Kamëz, plagoset një tjetër. Në pranga autori

30/11/2023

Vritet me armë zjarri një 55-vjeçar në Kamëz, plagoset një tjetër. Në pranga autori

Një 55-vjeçar ka mbetur i vrarë ndërsa një tjetër plagosur në Kamëz. Ngjarja ka ndodhur në Laknas, në rrugën “Fatos Shupi”, kur pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasi M. M., rreth 70 vjeç, ka vrarë me armë zjarri shtetasin Sh. H., rreth 55 vjeç, si dhe ka plagosur shtetasin B. K., rreth 50 vjeç. Ky i fundit ka përfunduar në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Ndërkaq, autori i dyshuar është arrestuar në flagrancë, si dhe është sekuestruar dhe arma e përdorur gjatë krimit, ndërsa grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Policia: Fqinjët në sherr prej 3 vitesh për kanalin, autori u arrestua në banesën e tij

 Shefi i Komisariatit të Kamzës ka bërë një deklaratë për mediat në lidhje me ngjarjen e rëndë e cila ndodhi pasditen e sotme në fshatin Laknas, ku 70-vjeçari Maliq Marku qëlloi për vdekje shtetasin Shefqet Hasa dhe plagosi shtetasin Besim Keça, për një kanal të ujërave të zeza.

Shefi i komisariatit u shpreh se sapo është marrë njoftimi policia ka kapur dhe arrestuar autorin në banesën e tij.

Ai po ashtu sqaron, se palët nuk kanë pasur konflikte më parë dhe se konflikti ka qenë i momentit.

Shefi i Komisariatit të Kamzës tha se, rreth orës 14:30, kemi marrë njoftim në lidhje me një ngjarje kriminale. Menjëherë forcat e policisë kanë kapur dhe arrestuar autorin e ngjarjes, Maliq Marku në banesën e tij.

Është bërë dokumentimi i ngjarjes. Rezulton se janë dy persona të dëmtuar, shtetasi Shefqet Hasa që ka ndërruar jetë, ndërsa Besim Keça është jashtë rrezikut për jetën.

Shkaku ka qenë për motive të dobëta, bëhet fjalë për një kanalizim të ujërave të zeza. Konflikti ka qenë i çastit, nuk ka pasur konflikte të mëparshme.

 

 

/rtsh.al/