RTSH 24 Live

Kronika

Vrau pronarin e një gomisterie 7 vjet më parë, policia prangos pas 7 vitesh në kërkim ish-agjentin e SHISH

23/11/2021

Vrau pronarin e një gomisterie 7 vjet më parë, policia prangos pas 7 vitesh në kërkim ish-agjentin e SHISH

Arrestohet Xhevahir Mzhika 51-vjeç, i cili 7 vite më parë vrau pronarin e një gomisterie në kryeqytet. Shkak për vrasjen u bë një gomë që autori i vrasjes e kishte blerë te servisi i viktimës.

Policia e Tiranës bëri të ditur, se ish-agjenti i Shërbimit Informativ Shtetëror, Xhevahir Mzhika u kap këtë të martë  në rrugën “Babë Rexha”, anës lumit, dhe në momentin e ndërhyrjes së Policisë ka tentuar të largohet, por është neutralizuar nga efektivët.

Mzhika ishte dënuar me 10 vite burg për vrasjen e Florian Selmanit, ngjarje e ndodhur më 16 gusht të 2014 te ish Fusha e Aviacionit.

Goma e blerë nga Mzhika tek viktima Selmani, kishte shkaktuar një aksident, në të cilin u përfshi familja e ish-agjentit. Pas kësaj ngjarjeje Mzhika shkoi te gomisteria e viktimës, debatuan e më pas Mzhika e qëlloi me një plumb në kokë Selmanin, duke e lënë të vdekur në vend.

Për arrestimin e ish-agjentit të SHISH ka pasur disa tentativa të policisë, por edhe mundësi për vetëdorëzim, por këto tentativa nuk u realizuan, derisa këtë të martë ai u prangos nga uniformat blu.