RTSH 24 Live

Aktualitet

Vrasja e punonjësit të policisë së shtetit, Prokuroria e Fierit nis procedim penal

15/05/2024

Vrasja e punonjësit të policisë së shtetit, Prokuroria e Fierit nis procedim penal

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, mbi bazën e materialit të referuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier, ka regjistruar procedimin penal, për veprat penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Kjo çështje penale është regjistruar për ngjarjen e ndodhur në datë 13.05.2024, rreth orës 13:30, në fshatin Baltëz, Njësia Administrative Dërmenas, Bashkia Fier, ku është vrarë me armë zjarri punonjësi i policisë së shtetit, Novruz Cenalia.

Nga ana e policisë gjyqësore, nën drejtimin e prokurorit të gatshëm, të pranishëm në vendin e ngjarjes, pasi janë kryer veprime procedurale si, këqyrje e vendit të ngjarjes, sekuestrimit të provave materiale, sekuestrimit dhe këqyrjes së pamjeve filmike, pyetjes së shumë personave dhe veprime të tjera hetimore që lidhen me natyrën e ngjarjes, është arritur të identifikohet autori i dyshuar, shtetasi, Azgan Mërnica, lindur në Fier dhe banues në Sulaj, Njësia Administrative Dërmenas, Bashkia Fier.

Me qëllim vënien e autorit të dyshuar para përgjegjësisë penale, nga ana e strukturave të Policisë së Shtetit po vijojnë në mënyrë të pandërprerë dhe intensive kërkimet për gjetjen e autorit të dyshuar.

Gjithashtu, nga ana e policisë gjyqësore, nën drejtimin e prokurorit të çështjes, po kryhen veprime procedurale me qëllim evidentimin e plotë të dinamikës së ngjarjes.

Novruz Cenalia u qëllua nga Azgan Mërnica, teksa mbante të veshur uniformën e policisë dhe po shkonte të merrte turnin. Më herët u tha se ngjarja ka ndodhur për hakmarrje, por më pas kjo pistë u hodh poshtë duke thënë se ngjarja kishte ndodhur pas një konflikti të çastit.

Pasi qëlloi për vdekje 28-vjeçarin, Mërnica është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Një operacion i gjerë është shtrirë në të gjithë fshatrat pranë Baltëzës, në hyrje-daljet e Fierit dhe ato të qyteteve të tjera fqinje. Prej dy ditësh forcat e policisë, forcat speciale RENEA kanë vijuar kërkimet për gjetjen e autorit duke u shtrirë në disa qytete në jug të vendit.

Policia e Shtetit ka vënë në dispozicion 30.000 euro për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në lokalizimin e Azgan Mërnicës. Kushdo që ka informacion të telefonojë në numrin pa pagesë 112, pasi Policia e Shtetit ju garanton anonimatin.

/rtsh.al/